Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurve A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Sipas Prokurorisë, ata janë të dyshuar për veprat penale: veprimet përgatitore për vrasje të rëndë, detyrimi, zjarrvënia, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025 në Pejë, kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, i cili dyshohet se kanë planifikuar vrasjen e një personi dhe plagosjen ose vrasjen e dy personave të tjerë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.” – thuhet në njoftim .
Prokuroria pretendon se të pandehurit akuzohen se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë kryer zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari, si dhe kanë ushtruar presion, detyrim dhe kërcënime ndaj personave të ndryshëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Gjithashtu, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurit A.H., i cili ndodhet në arrati, vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve M.D dhe L.D, si dhe konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar.
