Duken si një model i thjeshtë nga vitet ’90, por pas prerjes së gjerë dhe detajeve “1996” fshihet arsyeja pse të gjithë po flasin për to Hailey ka dëshmuar edhe një herë se thjeshtësia mund të jetë rruga më e sigurt drejt një pamjeje elegante. Koleksioni i kufizuar, i quajtur “The Hailey Jean” , përfshin dy prerje të lirshme: Extra Baggy dhe ’90s Low-Rise Loose .
Secili model ofrohet në tri nuanca të ndryshme të xhinsit. Frymëzimi kryesor ishte viti 1996 – viti kur Hailey ka lindur, por edhe një periudhë që lidhet ngushtë me estetikën karakteristike të Gap-it. Numri “1996” është vendosur në pjesët metalike dhe në etiketën e pasme të xhinseve, ndërsa firma e saj gjendet brenda astarit të xhepit.
Prerje të gjera dhe xhins që përshtatet me trupin Të dyja modelet kanë prerje të gjera dhe bien lirshëm përgjatë trupit. Ato janë prodhuar nga xhins i fortë, 100 për qind pambuk, pa material elastik, i cili zbutet dhe përshtatet gradualisht me formën e trupit pas përdorimit.
Modeli Extra Baggy është frymëzuar nga xhinset e meshkujve të viteve ’90, të cilat Hailey i vesh dhe i përshtat sipas stilit të saj. Ndërsa modeli Low-Rise Loose ka bel të ulët dhe një prerje disi më të rregullt, por sërish të lirshme. Në jetën e përditshme, Hailey shpesh i ndryshon dhe i ngushton veshjet për të arritur pamjen që dëshiron.
Ajo nuk ngurron të provojë as modele për meshkuj dhe t’i përshtatë në pjesë të caktuara. Ky ndikim uniseks vërehet edhe në bashkëpunimin me Gap-in, si në prerje, ashtu edhe në nuancat e përzgjedhura, transmeton Telegrafi.
Nga xhinset e saj të preferuara te një koleksion i ri Hailey kishte vite që vishte modele të vjetra të Gap-it, të cilat tërhoqën vëmendje sa herë që ajo fotografohej me to. Pikërisht interesi i madh për xhinset e saj të preferuara ishte një nga arsyet që çoi në krijimin e koleksionit të ri.
Modelja ka treguar se nuk ka pranuar të jetë vetëm imazhi promovues i fushatës, por është përfshirë në procesin krijues, duke punuar me ekipin e markës në përshtatjen e prerjeve, nuancave dhe hollësive të dizajnit.
“Gap ka qenë pjesë e gardërobës sime që kur isha fëmijë, prandaj ky bashkëpunim erdhi shumë natyrshëm”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se nga vitet ’90 e tërheqin mënyra e çlirët e veshjes dhe thjeshtësia e xhinsit të asaj periudhe. Sa kushtojnë xhinset?
Secili model kushton 89 dollarë , ndërsa koleksioni është i disponueshëm në faqen e Gap-it dhe në dyqane të përzgjedhura në Amerikën e Veriut dhe në disa tregje ndërkombëtare. Modeli Low-Rise Loose shitet ekskluzivisht në internet.
Në fushatën promovuese, të fotografuar nga Mario Sorrenti, Hailey i ka kombinuar xhinset me bluza të thjeshta të Gap-it, duke rikrijuar frymën minimaliste të reklamave ikonike të markës nga vitet ’90. Filmi shoqërues i fushatës përdor këngën “Linger” të grupit The Cranberries.
Bashkëpunimi vjen pas koleksioneve të tjera të Gap-it me emra të njohur të modës, përfshirë Victoria Beckhamin, ndërsa marka po përpiqet t’i rikthejë modelet e saj klasike në vëmendje përmes një interpretimi më bashkëkohor.
