Katër mjekë të QKUK-së, Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, akuzohen për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, lidhur me vdekjen e pacientes S.F. më .
Seanca gjyqësore ndaj tyre ka vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku dëshmitarja, Valbona Kelmendi Gashi, në cilësinë e infermieres, ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë më , kur kishte thënë se ‘pas transfuzionit të gjakut pacientja nuk ishte ndjerë mirë’ dhe se e kishte thirrur doktoreshën Vjosa Zejnullahu për t’ia shpjeguar gjendjen e tashmë të ndjerës S.F.
Dëshmitarja Kelmendi Gashi kishte qenë e angazhuar në ndërrimin kur pacientes iu bë transfuzioni i gjakut. Ajo tha se, pas paraqitjes së shqetësimeve, e kishte ndërprerë transfuzionin dhe kishte njoftuar menjëherë mjeken kujdestare, Vjosa Zejnullahu. Sipas saj, pacientja ishte në gjendje të fliste në ato momente.
Pas përkeqësimit të gjendjes, ajo thotë se pacientja humbi vetëdijen, ndërsa në repart u thirrën mjekët kujdestarë. Më pas, siç ka deklaruar dëshmitarja, u kërkua edhe konsultë me neurologun. Valbona Kelmendi Gashi tha se personalisht kishte shkuar me veturën e bashkëshortit të së ndjerës, Nazmi Fazliu, për ta marrë neurologun nga reparti përkatës.
Ajo deklaroi se nuk e di nëse mjekët e tjerë ishin informuar mbi gjendjen e pacientes. Dëshmitarja u pyet edhe lidhur me mënyrën se si ishte siguruar qesja e gjakut që iu administrua pacientes. Ajo deklaroi se, kur kishte filluar ndërrimin në orën , “mbi tavolinë ka qenë gjaku i gatshëm”, duke theksuar se qesja ndodhej në dhomën e infermierëve në repartin e Gjinekologjisë.
Në pyetjen nëse ajo personalisht e kishte marrë qesen nga Transfuzioni i Gjakut, dëshmitarja u përgjigj se këtë e kishte bërë ndërrimi paraprak. “Kërkesën e ka ba ndërrimi paraprak. E ka marrë gjakun e përgatitur dhe na e ka dorëzuar neve të gatshëm, veç për me e vendos te pacientja,” – tha ajo.
Më tej, përfaqësuesi i palës së dëmtuar e pyeti nëse qesja i ishte dorëzuar fizikisht nga infermierja M.S dhe nëse ishte hartuar ndonjë pranim-dorëzim me shkrim. Me këtë rast, dëshmitarja tha se nuk e kishte marrë qesen në dorë por bashkë me kolegen E.H kishin pranuar dokumentacionin përcjellës të transfuzionit.
“Janë fletushkat e gjakut, grupi i gjakut, fleta e kërkesës për dozën e gjakut, ku shënohen emri, mbiemri, datëlindja dhe numri amë. Në pjesën tjetër janë të dhënat që i plotëson Transfuzioni i Gjakut, si numri i qeses, grupi i gjakut dhe nënshkrimet përkatëse. Me krejt këto dokumente na i ka dorëzu Myrvete Sopjani, mua dhe koleges sime Elhame Hashani” – deklaroi dëshmitarja.
Dëshmia e saj u ndërpre, ndërsa seanca do të vazhdojë më . Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues me Adnan Kamberi – kryetar, dhe dy anëtarëve: Sulltane Hoti dhe Alban Ajazi. Prokurore e kësaj çështje është Javorka Perlinçeviq, ndërsa përfaqësues i palës së dëmtuar avokati Asdren Hoxha.
Lidhur me këtë rast, KALLXO.com më kishte bërë një hulumtim në të cilin shpërfaqte mangësitë institucionale për të trajtuar rastin në Gjykatë për nga aspekti kohor. Në këtë intervistë, atë kohë ishte deklaruar bashkëshorti i të ndjerës, i cili kishte treguar momentet e para të keqësimit të gjendjes së bashkëshortes së tij. Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më , në Prishtinë, në QKUK – KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, në veprimet e tyre me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se me veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja e pacientit, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarës – tanimë të ndjerës S.
F. nga Prishtina. Sipas aktakuzës e pandehura Vjosa Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në urgjencë apo në terapi intensive.
Ajo, sipas Prokurorisë, ka nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi me dhënien e gjakut, e njëjta ka anashkaluar konsultimin me transfuziologun, megjithëse e dinte se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, kur ajo e ka dërguar pacienten në Qendrën Urgjente nuk ka dërguar edhe qesen me gjak për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës duke ditur faktin që kemi grupe të ndryshme gjaku por e shkatërroi si provë kryesore.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri i dytë Selman Demolli dhe e pandehura e tretë Myzeine Muja, nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun pasi që të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion pastaj japin konkluzionet e gabuara, duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë me transfuziologun, kanë thirrur neurologun, të pandehurin e katërt Bashkim Sheholli.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ndonëse i pandehuri i katërt Bashkim Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar dhe të bëhet CT e trurit të pacientes, duke i anashkaluar edhe të pandehurit e tjerë, konsultë me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomandojnë mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vdes e dëmtuara.
Për këto veprime Prokuroria të pandehurit i akuzon se secili prej tyre individualisht ka kryer veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.
