Presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, është shumë pranë sigurimit të një mandati të katërt në krye të qeverisë botërore të futbollit. Sipas raportimeve, ai ka marrë mbështetjen zyrtare të më shumë se 200 prej 211 federatave anëtare të FIFA-s, shkruan IndeksOnline.
Infantino mbetet kandidati i vetëm për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit 2027 në Rabat të Marokut. Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor, por deri më tani nuk është shfaqur asnjë rival me mbështetje të mjaftueshme për ta sfiduar.
Mbështetja dërrmuese e federatave nga Afrika, Azia, Amerika e Jugut dhe CONCACAF e bën rizgjedhjen e zvicerano-italianit pothuajse të sigurt. Megjithatë, disa federata evropiane, mes tyre edhe Gjermania, nuk kanë dhënë ende përkrahjen e tyre zyrtare, ndërsa në UEFA vazhdojnë të ekzistojnë kritika ndaj mënyrës së drejtimit të FIFA-s nga Infantino.
Në javët e fundit, presidenti i FIFA-s është përballur edhe me polemika lidhur me vendime të diskutueshme dhe marrëdhëniet e tij me figura politike, por këto zhvillime nuk kanë ndikuar në mbështetjen e gjerë që ai gëzon brenda organizatës. Gianni Infantino drejton FIFA-n që nga viti 2016.
Nëse rizgjidhet në Kongresin e vitit 2027, ai do të nisë mandatin e katërt në krye të institucionit më të lartë të futbollit botëror, mandat që do të zgjasë deri në vitin 2031.
