Shpërndaje në: Në 20-vjetorin e themelimit, përfaqësues të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit folën për sfidën e epilogut të kallëzimeve penale që adresohen në Prokurori. Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se vetëm rreth 10 për qind e rasteve të dërguara vitet e fundit kanë përfunduar me aktakuzë.
Pavarësisht kësaj, ai ka vlerësuar se institucioni ka kaluar nga një rol administrativ në një mekanizëm aktiv për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës Rastet e raportuara në hetuesi e organin e akuzës, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë mbetur pa epilog.
Drejtori i këtij institucioni, Yll Buleshkaj, ka thënë se një pjesë e kallëzimeve penale edhe janë refuzuar. I pyetur nga KOHA se sa raste të ngritura nga Agjencia kanë përfunduar me aktakuzë, ai tha se nuk ka të dhëna të sakta. “Varësisht nga koha kur janë dërguar, kemi numër të madh, ka raste që janë dërguar para 5 vjetëve kallëzimet penale e janë ende duke u hetuar nga prokuroria.
Nuk kemi statistika të sakta”, ka thënë Buleshkaj. “Çka mund të themi është se vitet e fundit kemi pas numër më të madh të refuzimeve të kallëzimeve penale të agjencisë”. Bazuar në statistikat që ka dhënë Buleshkaj, vetëm një në 10 raste të fundit të deponuara në prokurori, ka rezultuar me aktakuzë.
Edhe Arbëri 3 muaj më parë Mbi 32% e zyrtarëve nuk e kanë deklaruar pasurinë, afat edhe gjashtë ditë “Rreth 10 për qind, ka qenë kalueshmëria e kallëzimeve tona penale në aktakuza. Nëse i kemi dërguar 70 raste kalojnë 7- 8 nga to. Kjo për arsye të ndryshme, e para mosqasje e mundësisë për ta dëshmuar kryerjen penale apo mungesë të dëshmive të tjera”, ka thënë ai.
Ndërsa në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj agjencie, Buleshkaj ka thënë se APK-ja ka ndryshuar qasje, duke kaluar nga një rol administrativ në një mekanizëm aktiv për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
“Që nga dita kur mora përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë institucion, kam besuar se agjencia nuk duhet të jetë vetëm një institucion që administron procedura. Agjencia duhet të jetë një institucion që krijon besimin e qytetarit në institucionet e Republikës së Kosovës. Jo një institucion që ndëshkon, por që parandalon. Një institucion që udhëheq me shembull.
Një institucion modern”, ka thënë ai. Me rastin e këtij përvjetori, për kontributin e agjencisë foli edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi. Por, gjatë fjalimit nuk u përmend çështja e kallëzimeve penale që hidhen poshtë nga prokurorët.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, ku institucionet e drejtësisë, organet e pavarura, ekzekutivi, shoqëria civile dhe qytetarët veprojnë të koordinuar dhe me përgjegjësi të përbashkët. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka një rëndësi të veçantë”, ka thënë ai.
Edhe Arbëri 19 min. më parë Konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja nuk do të ndodhë brenda muajit korrik Në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të kësaj agjencie, ka marrë pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Tek ka folur për agjencinë, ajo ka thënë se ky institucion për dy dekada ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit publik, forcimin e transparencës dhe promovimin e llogaridhënies.
Haxhiu ka theksuar se lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet njëherë e përgjithmonë, por kërkon institucione të pavarura, përpjekje e vigjilencë të vazhdueshme dhe përkushtim të palëkundur në mbrojtje të interesit publik dhe besimit të qytetarëve.
“Forcimi i sundimit të ligjit dhe parandalimi i korrupsionit janë parakushte për ndërtimin e një shteti të drejtë, demokratik dhe me perspektivë të qartë evropiane. Institucionet që mbrojnë integritetin publik duhet ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit, në mënyrë që të ushtrojnë mandatin e tyre me pavarësi, profesionalizëm dhe efikasitet”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, vlerësoi se përvjetori i APK-së është një mundësi për të riafirmuar angazhimin institucional në ndërtimin e institucioneve profesionale.
“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin e deritanishëm, por edhe një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për ndërtimin e institucioneve të besueshme, profesionale, transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Republikës”, ka thënë Nimoni.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Fushtica: Nga shtatori, shkollat e mesme në Prishtinë me “oficerë të sigurisë” Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është themeluar në vitin 2006, si institucion i pavarur me mandat për parandalimin e korrupsionit, mbikëqyrjen e deklarimit të pasurisë, parandalimin e konfliktit të interesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Egzona Mema
