Barbara Palvin ka folur hapur për një anë të shtatzënisë që shumë gra e kalojnë, por pak e flasin. Modelja, e cila pret fëmijën e saj të parë me bashkëshortin Dylan Sprouse, rrëfeu se ndryshimet në trup gjatë shtatzënisë i rikthyen pasiguritë që kishte krijuar pas viteve të tëra nën presionin e industrisë së modës.
Në podcast-in Wildmen, Palvin tregoi se ndjeu ankth kur pa peshoren të tregonte shifra gjithnjë e më të larta, ndërsa rrobat nuk i bënin më. “Nuk e ke ende barkun e rrumbullakosur, por stomaku është më i madh dhe pantallonat nuk të bëjnë. Fillova të shqetësohesha “, tha ajo, duke pranuar se përjetoi një periudhë të vështirë emocionalisht.
Modelja 32-vjeçare tha se mbështetja e partnerit, Dylan Sprouse ishte vendimtare gjatë kësaj kohe. Ai i kujtonte vazhdimisht se trupi i saj po krijonte një jetë të re dhe se kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Palvin shpjegoi se marrëdhënia e saj e ndërlikuar me trupin filloi shumë herët.
Ajo hyri në botën e modës në moshën 13-vjeçare dhe, që në adoleshencë, dëgjonte vazhdimisht se duhej të humbiste peshë. “Më thonin se ijet i kisha shumë të gjera, kur në fakt ende nuk i kisha formua r”, kujtoi ajo. Për vite me radhë, modelja tha se ndoqi dieta të rrepta dhe zakone jo të shëndetshme për të përmbushur standardet e industrisë.
Megjithatë, edhe kur arriti të punonte me Victoria’s Secret, u etiketua si “modelja e parë plus-size” e markës, diçka që e befasoi pasi nuk e konsideronte veten pjesë të asaj kategorie. Ironikisht, kritikat nuk u ndalën as kur humbi peshë. Sipas saj, komentet ndryshuan drejtim dhe njerëzit filluan ta akuzonin se ishte “shumë e dobët”.
Për këtë arsye, Palvin thotë se ende nuk e kupton pse njerëzit ndihen të lirë të komentojnë trupin e dikujt tjetër. “Jam figurë publike dhe e kuptoj që puna ime lidhet me pamjen, por unë nuk kam ndjerë kurrë nevojën të komentoj trupin e askujt. Nëse nuk kam diçka të mirë për të thënë, thjesht nuk e them”, përfundoi ajo.
