Policia e Rajonit të Mitrovicës së Jugut ka sekuestruar armë, mjete të ftohta dhe gjësende të tjera të kundërligjshme gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në zonën e Skenderajt.
Sipas njoftimit të Policisë, aktivitetet operative janë realizuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë, në mbështetje të njësive të tjera policore, në kuadër të masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror.
Gjatë kontrolleve të automjeteve dhe personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë dhe tri shufra metalike. Po ashtu, janë konfiskuar edhe gjësende të tjera për të cilat dyshohet se janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e veprave penale.
Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar, ndërsa ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale në koordinim me prokurorët kompetentë. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192, aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose adresës elektronike zyrtare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
