Toronto po përballet me një nga episodet më të rënda të ndotjes së ajrit, pasi tymi i shkaktuar nga zjarret masive në pyjet e Ontarios veriperëndimore ka mbuluar qytetin dhe është përhapur edhe drejt verilindjes së Shteteve të Bashkuara.
Sipas autoriteteve kanadeze, Indeksi i Cilësisë së Ajrit dhe Shëndetit në Toronto ka arritur nivelin 10+, që konsiderohet si rrezik shumë i lartë për shëndetin e qytetarëve. Banorëve u është rekomanduar të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura, ndërsa kushtet pritet të zgjasin edhe gjatë ditës së enjte.
Ndërkohë, kompania zvicerane IQAir e ka renditur Toronton si qytetin me cilësinë më të dobët të ajrit në botë, duke ia atribuar përkeqësimin kryesisht tymit të zjarreve pyjore.
Edhe pse flakët po digjen qindra kilometra larg qytetit, masat e dendura të tymit janë përhapur në një territor të gjerë, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e ajrit si në Kanada, ashtu edhe në pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar paralajmërime për cilësinë e ajrit në disa zona, përfshirë New York City, ku banorët janë këshilluar të shmangin aktivitetet fizike intensive në natyrë, veçanërisht personat me sëmundje të zemrës apo të mushkërive.
Situata ka ngritur shqetësime edhe për ngjarjet e mëdha publike që pritet të zhvillohen në ditët në vijim në rajon, ndërsa autoritetet po monitorojnë vazhdimisht përhapjen e tymit dhe ndikimin e tij në shëndetin publik. Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë Kanadanë aktualisht janë aktive mbi 800 vatra zjarri, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për vënien e tyre nën kontroll.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
