Shkëndija e Tetovës ka siguruar kualifikimin në rrethin e dytë kualifikues të Conference League, pasi e mposhti edhe në ndeshjen e kthimit skuadrën Europa nga Gjibraltari me rezultat 1:0.
Skuadra tetovare e kishte kryer pothuajse të gjithë punën në takimin e parë, ku kishte triumfuar bindshëm me 5:0 në Gjibraltar, ndaj sfida e zhvilluar në “Arenën Kombëtare Todur Proeski” në Shkup ishte më tepër një formalitet. Ndeshja nuk solli shumë emocione, pasi të dyja ekipet ishin të vetëdijshme se cili do të ishte udhëtari për në fazën tjetër.
Raste të shumta shënimi munguan, ndërsa momentet më interesante erdhën në pjesën e dytë. Në minutën e 66-të, Zejnullai goditi traversën, ndërsa goli i vetëm i ndeshjes u realizua në minutën e 86-të.
Futbollisti Krstevski depërtoi bukur në zonë pas një aksioni individual dhe me një goditje të fortë e të saktë në këndin e poshtëm të majtë mposhti portierin kundërshtar, duke i dhënë Shkëndijës edhe fitoren e dytë në këtë fazë. Me rezultat të përgjithshëm 6:0 nga dy ndeshjet, Shkëndija avancon në rrethin e dytë kualifikues, ku do të përballet me skuadrën sllovene Bravo.
