Parandalohet tjetërsimi i 21 pronave, arrestohen tre persona në

0%

Tre persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë tentuar të sigurojnë dokumentacion noterial me qëllim të tjetërsimit të kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme, raporton Sinjali.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësinë Rajonale në Mitrovicë Veri, kanë parandaluar përfundimin e procedurave për sigurimin e dokumentacionit noterial, i cili dyshohet se kishte për qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të njëzetenjë (21) pronave të paluajtshme.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografia ishte e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.

Realizimi i veprimeve të dyshuara është parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi për autenticitetin e dokumenteve të paraqitura para noterit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë arrestuar dhe intervistuar tre persona, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, automjet dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Gjatë kontrollit të realizuar në pronën e njërit prej personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. Prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com