Analisti politik Blerim Burjani mohon se ekziston një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndarjen e posteve institucionale, duke i cilësuar si spekulime pretendimet që po qarkullojnë në opinion. “Nuk ka asnjë marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së.
Disa individë nga Vetëvendosje po spekulojnë se kinse është arritur një marrëveshje, sipas së cilës LDK-ja do të pranonte ta humbte postin e Presidentit në këmbim të pozitës së kryetarit të Kuvendit. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe kjo pozitë nuk i intereson askujt në opozitë” , deklaron Burjani.
Sipas tij, këto pretendime vetëm sa po krijojnë pakënaqësi të panevojshme brenda LDK-së. Analisti politik Blerim Burjani “Ky spekulim po shkakton pakënaqësi edhe më të mëdha në LDK.
Për këtë arsye do të ishte e udhës që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të prononcohej publikisht për këtë çështje, pasi për një marrëveshje të tillë nuk është dëgjuar askund, përveç disa mediave” , shprehet ai. Burjani thotë se spekulimet janë përhapur gjatë mbrëmjes së fundit. “Ky spekulim u bë publik mbrëmjen e sotme.
Deri më tani nuk ka asnjë zhvillim konkret që tregon se ka marrëveshje mes palëve” , vlerëson ai. Në fund, Burjani thekson se skenari më i mundshëm mbetet mbajtja e zgjedhjeve të reja. “Ajo që dihet deri më tani është se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Për momentin, vetëm kjo është e qartë”, përfundon Burjani.
