Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe njëherësh këshilltar politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë dhe figurave politike që, sipas tij, rikthejnë propagandën për kinse projektin e “Shqipërisë së Madhe”.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se brenda pak ditësh janë dëgjuar disa deklarata propagandistike me të njëjtën narrativë. “‘Shqipëria e Madhe’. E njëjta propagandë.
Të njëjtët autorë”, ka shkruar ai, duke përmendur deklaratat e Snezhana Paunoviq, e cila sipas tij ka deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, si dhe reagimin e Ivica Daçiqit, i cili, sipas Mustafit, e ka relativizuar dhe mbrojtur atë deklaratë.
Ai ka përmendur edhe ministrin Demo Berisha, të cilin e cilëson si “ministri i vetëdeklaruar shqiptar” dhe ish-oficer i Ushtrisë së Serbisë, duke thënë se në një intervistë për agjencinë Tanjug ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, deputetin Shaip Kamberi dhe vetë Mustafin për promovimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Sipas Mustafit, bëhet fjalë për të njëjtin skenar propagandistik që është përdorur prej dekadash. Ai rikujtoi se akademiku Fehmi Agani, që në maj të vitit 1991, kishte argumentuar se “Shqipëria e Madhe” nuk ishte projekt politik i shqiptarëve, por një etiketë e përdorur për të fshehur diskriminimin dhe për t’i paraqitur kërkesat për barazi si kërcënim. “Kanë kaluar 35 vjet.
Ka rënë Millosheviqi. Por propaganda ende flet me zërin e tij. Barazia nuk është ‘Shqipëri e Madhe’. Të drejtat nuk janë kërcënim. Propaganda nuk bëhet e vërtetë, sado herë të përsëritet”, ka përfunduar Mustafi.
