Komuna e Prishtinës ka nisur aksionin për lirimin e parkingut pranë objektit të Ministrisë së Bujqësisë, hapësirë që sipas autoriteteve komunale është shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme dhe është planifikuar për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.
Në një deklaratë për Telegrafin, drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj, tha se aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë e Kosovës, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur kundërshtime nga shfrytëzuesit e hapësirës.
“Sot Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Pronës së bashku me Drejtorinë e Inspekcionit, është duke zbatuar vendimin për lirimin e pronës komunale, gjegjësisht të kësaj hapësire publike, e cila është shfrytëzuar nga persona të caktuar në mënyrë jolegjitime dhe joligjore. Kjo pronë është e destinuar për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.
Aksioni po zhvillohet mirë dhe realisht nuk kemi pasur kundërshtime nga shfrytëzuesit”, deklaroi Mehmetaj. Foto: Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj Ai sqaroi se pothuajse e gjithë parcela ku po zhvillohet aksioni është në pronësi të Komunës së Prishtinës, ndërsa një pjesë e vogël i takon Administratës Tatimore të Kosovës, për të cilën tashmë janë iniciuar procedurat e shpronësimit.
“E gjithë hapësira që po rrethohet është pronë komunale. Ekziston edhe një pjesë e pronës së Administratës Tatimore të Kosovës, për të cilën kemi nisur procedurat e shpronësimit dhe besojmë se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Pas kësaj, do të mund të fillojë projekti për ndërtimin e Shkollës së Muzikës”, tha ai.
Mehmetaj paralajmëroi se ky nuk do të jetë aksioni i fundit për lirimin e pronave publike në kryeqytet, duke bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët. “Ky aksion do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit. Do të lirohen të gjitha pronat që janë duke u shfrytëzuar në mënyrë joligjore.
I ftoj qytetarët të bashkëpunojnë, sepse është në interes të përgjithshëm që këto prona t’u kthehen qytetarëve dhe të zbatohen vendimet që janë në dobi të tyre”, u shpreh Mehmetaj. / Telegrafi
