Spanja dhe Argjentina siguruan biletën për në finalen e Kupës së Botës pas paraqitjeve të forta në gjysmëfinale, ndërsa kjo është reflektuar edhe në formacionin e javës të përzgjedhur nga Sofascore.
Fitorja e Spanjës 2-0 ndaj Francës dhe triumfi dramatik i Argjentinës 2-1 ndaj Anglisë sollën disa paraqitje të jashtëzakonshme individuale, me emra të njohur që konfirmuan nivelin e tyre, por edhe me disa protagonistë të papritur. Spanja dominon repartin defensiv Spanja ka pesë lojtarë në formacionin e javës, duke treguar kontrollin që pati ndaj Francës.
Në portë është Unai Simon, i cili mbajti portën të paprekur me tri pritje dhe një paraqitje të sigurt, duke ndihmuar ekipin e Luis de la Fuentes të sigurojë finalen. Në krahun e djathtë, Pedro Porro ishte një nga protagonistët kryesorë. Mbrojtësi shënoi gol, ishte aktiv në fazën sulmuese dhe dha një paraqitje të plotë si në mbrojtje, ashtu edhe në krijimin e aksioneve.
Në qendër të mbrojtjes janë Pau Cubarsi dhe Aymeric Laporte, të cilët treguan qetësi në ndërtimin e lojës dhe siguri në ndërhyrjet defensive. Ndërsa Marc Cucurella kompleton linjën e mbrojtjes pas një paraqitjeje solide në krahun e majtë. Rodri dhe Enzo udhëheqin mesfushën Në mesfushë spikat Rodri, i cili edhe një herë tregoi kontrollin e tij në një ndeshje të madhe.
Mesfushori i Spanjës dominoi duelet, organizoi lojën dhe ishte një nga arsyet kryesore pse Franca pati vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Nga ana e Argjentinës, Leandro Paredes dhe Enzo Fernandez siguruan ekuilibrin në mesfushë. Paredes kontrolloi ritmin e lojës, ndërsa Enzo jo vetëm kontribuoi në organizim, por shënoi edhe golin e barazimit ndaj Anglisë.
Pavarësisht eliminimit, Elliot Anderson ishte një nga lojtarët më të mirë të Anglisë. Mesfushori tregoi agresivitet në duele dhe energji gjatë gjithë takimit, duke fituar vend në formacionin e javës. Messi krijon, Lautaro finalizon Në repartin ofensiv nuk mund të mungonte Lionel Messi.
Kapiteni i Argjentinës nuk shënoi ndaj Anglisë, por ishte vendimtar në mënyrën e tij: regjistroi dy asistime, krijoi raste të mëdha dhe udhëhoqi skuadrën drejt finales së Kupës së Botës. Partneri i tij në sulm, Lautaro Martinez, pati një ndikim të menjëhershëm.
Sulmuesit argjentinas iu deshën vetëm pak minuta pas aktivizimit nga banka për të shënuar golin e fitores dhe për të vulosur kualifikimin./ Telegrafi
