Banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin për grumbullimin e mbeturinave në rrugën “Bedri Gjini”, duke thënë se gjendja ka mbetur e pandryshuar tash e tri javë. Sipas tyre, mbeturinat nuk janë larguar, pavarësisht se janë vendosur në pikën e grumbullimit me pritjen që të mblidheshin sipas orarit të zakonshëm. “Kështu është gjendja tash e 3 javë.
Nuk është hera e parë, sepse kjo ndodh shpesh. Me këto temperatura, era është e padurueshme dhe rreziku për infeksione është i madh”, thuhet në ankesën e banorëve, raporton Telegrafi. Ata theksojnë se situata është edhe më shqetësuese pasi pranë vendit ku janë grumbulluar mbeturinat ndodhet një park i frekuentuar nga fëmijët.
“Këtu ndodhet edhe parku ku luajnë fëmijët, ndërsa mbeturinat janë grumbulluar pranë tyre. Banorët nuk e kanë fajin, sepse mbeturinat i kanë mbledhur në një vend, duke menduar se do të merren të premten, siç është praktikuar më parë. Por, siç po shihet, askush nuk ka ardhur”, thuhet më tej në reagim.
Banorët e cilësojnë situatën si neglizhencë të papranueshme dhe u bëjnë thirrje institucioneve komunale që të ndërhyjnë sa më shpejt. “Kjo është neglizhencë e papranueshme. Shpresojmë që institucionet përkatëse dhe Perparim Rama të reagojnë sa më shpejt, sepse kjo gjendje po rrezikon shëndetin e banorëve dhe të fëmijëve”, kanë deklaruar ata.
Banorët kërkojnë që mbeturinat të largohen sa më parë dhe të rikthehet grumbullimi i rregullt, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik, veçanërisht gjatë temperaturave të larta. / Telegrafi
