Arrestohet në Prizren një i dyshuar për krime kibernetike, dyshohet

0%

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për përfshirje në veprimtari të krimit kibernetik, në një operacion të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës, duke kryer kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit. Rasti është hetuar në bashkëpunim me autoritetet amerikane.

Hetimet kanë ngritur dyshimet se i arrestuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete ose për persona të tjerë, kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve të SHBA-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më pas, ai dyshohet se këto të dhëna i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë kontrollit policia ka sekuestruar prova që konsiderohen relevante për hetimin.

Policia bëri të ditur se rasti mbetet në procedurë hetimore dhe se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkërendim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Burimi: Bota Sot