Ujërat e zeza në rrugën ‘Makiaveli’ në Kodër të Trimave po u shkakton

0%

Banorët në rrugën “Makiaveli” në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë po ankohen se tash e disa muaj janë duke u përballur me problemin e ujërave të zeza. Sipas tyre, institucionet nuk po intervenojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërsa këtë e konsideruan edhe si rrezik për kalimin e përditshëm.

Banori, Mustafë Musliu tha se disa herë janë munduar që me mjete personale të intervenojnë por pa sukses. Sipas tij kjo është kthyer në një pengesë të madhe. “Vallahi është pengesë shumë e madhe pengesë. Deri aty bëhet edhe prej ere, tash edhe koha e nxehtë edhe nuk po rrihet bash këtu. Nuk po guxojmë as në oborr me dalë prej ere me ndejt. Kanë ardhë ata të ujësjellësit e të kanalizimit.

Gjithë kemi pas probleme. Jemi mundu me sendet tona, me do mjete, me do armatura, me do diçka, po veç përkohësisht a nuk na ka shërbyer kurrë se si duhet. E patë edhe vetë aty era, ujë i keq. Fëmijët nuk guxojmë me i lënë këndej me dalë. Po helmohen apo shkelet ata, uji është shumë shumë, me kanë me na bë një zgjedhje mirë ish kanë.” – tha Musliu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa tjetri banor, Berat Musli tha se situate vështirësohet edhe më shumë në rastet kur ka vërshime. “Pengesa është mjaft e madhe siç e patë edhe vetë. Era është shumë e keqe kur po ka vërshime ose kur po bjen shi këtu pak teposhtëze po mbushet kjo puseta. Po del po hallakatet krejt me thënë edhe kështu që po bëhet si lum.

Era shumë e keqe s’po mundet me kalu as njeri, se nganjëherë kalojna dhe këndej, jo na po shumë, është çerdhja, këndej shkolla.” – u shpreh ai. Ai poashtu tregoi se institucionet kanë qenë në vendngjarje për disa herë, por që nuk ka pasur intervenim sa i përket sanimit të problemit. Musliu poashtu e konsideroi të rrezikshëm edhe kalimin e fëmijëve në këtë zonë.

“Kanë qenë e kanë këqyrë 3-4 herë, një ditë erdhën këtu kah ora 3 e diçka, u munduan, u munduan, thanë; jo na e kryjtëm orarin, po ecim në shpi, çka me ju thënë. Edhe rrezik për fëmijë, kur te çelim nganjëherë me pastru vetë, a e ke pa qysh e kena ndreq vetë që me rrjedhë uji. Kur te çelim munden me ra fëmija, mujna me ra edhe ne vetë mos me pa.” – deklaroi Berat Musliu.

Lidhur me këtë, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” treguan se në atë pjesë gypi i kanalizimit është shtypur si pasojë e vendosjes së infrastrukturës me cilësi jo të mirë. Arjeta Mjeku, Zëdhënëse e KRU “Prishtina” tha se si pasojë e kësaj, duhet sanuar apo zëvendësuar tërësisht gypi i kanalizimit në atë pjesë.

“Pas inspektimit është konstatuar se gypi i kanalizimit është shtypur si pasojë e vendosjes së infrastrukturës me cilësi jo të mirë. Me makinerinë që posedojmë nuk është e mundur të intervenohet në atë pjesë, pasi terreni është në teposhtë dhe nuk lejon qasje të sigurt me bagerin. Meqenëse ky intervenim tejkalon kapacitetet teknike dhe mekanizimin që kemi në dispozicion.

Por mbi të gjitha, ne kemi vullnet e përkushtim që të bëjmë ç’mos për sanimin e problemit, por konsumatori i cili gjindet aty, ka ndertuar një garazhe qe pamundëson intervenimin në sanim të problemit.” – tha Mjeku.

Ajo tregoi se kanë kërkuar nga banorët aty që t’i largojnë paisjet në mënyrë që ekipet punuese të kenë qasje për ta rregulluar, mirëpo sipas saj, banorët ende nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë. “Ne i kemi thënë që t’i largojnë ato mjetet bashkë me traktor nga aty që të na lejoj qasje, po pavarësisht kësaj ende nuk kanë ndërmarrë një gjë të tillë.” – theksoi ajo.

Ndërsa nga Komuna e Prishtinës për KALLXO.com treguan se janë në dijeni për këtë problem. Drejtoresha e Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, tha se kjo gjendje kërkon trajtim urgjent pasi paraqet rrezik për shëndetin publik të banorëve. “Po, Komuna e Prishtinës është në dijeni për rrjedhjen e ujërave të zeza në rrugën “Makiaveli”.

Nëse problemi nuk zgjidhet përmes zhbllokimit, do të jetë i nevojshëm zëvendësimi i gypit. Pas raportit që do të marrim nga KRU “Prishtina” mbi shkakun e defektit, do të ndërmarrim masat e nevojshme për sanimin e problemit. Kjo situatë paraqet rrezik për shëndetin publik dhe kërkon trajtim urgjent, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta.

Për këtë arsye janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të adresuar problemin sa më shpejt.” – u shpreh Pllana.

Burimi: Kallxo