Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho ka raportuar sot para Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku ka folur për çështjen Balluku. Ai tha se SPAK ishte i qartë në kërkesën e tij që bëri në Kuvend, ku kërkohej heqja e imunitetit për ish-zv.kryeministren Balluku, për t’iu hapur rrugë arrestimit të saj.
Ivi Kaso: Rasti i dytë ka të bëjë me kërkesën e heqjes së imunitetit për rastin e Ballukut. Kur erdhët dhe vetë në komision, tregon se ka pasur indicie për shkeljet për ndjekjen penale ndaj Ballukut. Do të kishte mundësi që të kryente një nga ato aktet që parashikon ligji, që ose do të ndërhynte në hetime, të prishte provat, ose kishte rrezik që të ikte nga vendi.
Kjo do të thotë se ju ishit të bindur se do të ndikoheshin këto raste nëse nuk hiqej imuniteti për ish-zv.kryeministren. Kjo sjellje e Kuvendit e ka dëmtuar ndjekjen penale në këtë rast? Pozita procedurale e Ballukut është rënduar dhe ju ende nuk e keni bërë një kërkesë tjetër për heqjen e imunitetit të saj. Si e vlerësoni këtë sjellje të Kuvendit?
Klodian Braho: Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Nuk mund të vlerësojë qëndrimin e Kuvendit për një kërkesë të caktuar. Nuk mund të them detaje, pasi në vijim të hetimeve mbase SPAK do të ketë njoftime. SPAK është i qartë në atë që ka kërkuar dhe është i qartë qëndrimi i prokurorisë për atë që ka thënë Kuvendi.
