Tetë ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë që të mos ketë vonesa të mëtejshme në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, në Presidencë e shohin të nevojshme që partive parlamentare t’iu lihet hapësira e nevojshme për të zhvilluar negociata për të arritur një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, afat që në këtë rast përfundon më 7 gusht, raporton KosovaPress.
Kërkesa për konstituimin e Kuvendit vjen në kohën kur javën e kaluar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për formimin e institucioneve. Megjithatë, nga këto takime nuk u njoftua për ndonjë marrëveshje konkrete.
Në Presidencë thonë për KosovaPress se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, po vepron në përputhje me kompetencat dhe afatet kushtetuese, me synimin që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe shmangien e një bllokade tjetër. “U.D.
Presidentja Haxhiu do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/ja brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht.
Duke pasur parasysh që afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit. U.D.
Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Haxhiut për KosovaPress.
Mirëpo, pavarësisht diskutimeve politike për formimin e institucioneve të reja, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se tashmë nuk ka asnjë arsye për ta shtyrë caktimin e datës së seancës konstituive.
Sipas tij, edhe nëse janë duke u zhvilluar diskutime politike, ato nuk duhet ta pengojnë konstituimin e Kuvendit, ndërsa liderët e partive duhet të jenë më transparentë lidhur me vullnetin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Bugaqku: Nuk duhet të zvarritet thirrja e seancës konstituive Video “E njëjta të mos zvarrisë më dhe të mos e vonojë caktimin e datës për mbajtjen e seancës konstituive të Parlamentit të Kosovës. Ne konsiderojmë që tashmë nuk ka asnjë arsye për të shkaktuar një vonesë të tillë dhe për të mos e thirrur një seancë të tillë.
Sa i përket çështjes së diskutimeve politike që po zhvillohen ose që janë zhvilluar, kjo është brenda fushëveprimit politik që liderët e partive politike duhet të tregojnë dhe të jenë më transparentë nëse kanë apo jo vullnet politik për të arritur një marrëveshje politike për formimin e institucioneve.
Unë e kuptoj që kjo vonesë e caktimit të datës mbase lidhet pak edhe për shkak të diskutimeve mes partive më të mëdha parlamentare sa i përket arritjes së një marrëveshjeje në pako të formimit të institucioneve.
Por, megjithatë, nuk kemi kohë për të humbur si shtet dhe qytetarët kanë nevojë që Kuvendi të jetë i konstituuar, që të kemi fillim të procedurave edhe për zgjedhjen e Qeverisë, pastaj edhe për zgjedhjen e presidentit, në atë mënyrë që të garantohet një funksionalitet i plotë i institucioneve të Kosovës”, shton ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se një shtyrje e seancës konstituive mund të arsyetohet vetëm nëse shfrytëzohet për konsultime të vazhdueshme dhe intensive mes partive politike. Sipas tij, në mungesë të takimeve dhe negociatave konkrete, nuk ka bazë për vonimin e thirrjes së seancës.
Jakaj shton se, duke qenë se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike, do të ishte e arsyeshme që brenda afatit kushtetues 30-ditor të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes partive, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe procesi i zgjedhjes së presidentit të ecin pa bllokada.
“Vonesa në seancën konstituive do të arsyetohej në rastin vetëm kur zoti Kurti, si kryetar i partisë më të madhe që ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit, do t’i thërriste partitë politike çdo një ditë ose dy ditë në konsultime me partitë politike. Në këtë argumentim do të mund të arsyetohej zvarritja e seancës konstituive.
Në rastin kur nuk ka takime dhe kërkesa nga vetë zoti Kurti si parti e parë, atëherë nuk mund të arsyetohej kjo vonesë në thirrjen e seancës konstituive.
Meqenëse i dimë deklaratat e partive politike, veçanërisht të partive opozitare, se për zgjedhjen e presidentit kërkohet marrëveshje politike gjithëpërfshirëse, atëherë nuk do të duhej të shkohej me nguti për konstituimin e Kuvendit, por të pritej edhe afati 30-ditor që të kemi një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së ose LVV-së dhe PDK-së e AAK-së, në mënyrë që të dihet sigurt se kur shkojmë në konstituimin e Kuvendit, po atë ditë të formohet qeveria dhe të votohet për presidentin”, deklaron Jakaj për KosovaPress.
Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja. Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje, sipas Kurtit, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Këto takime erdhën pasi KQZ-ja certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse.
Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.
