Neofashizëm dhe urrejtje me vulë ministrore

0%

Një ministre që del publikisht me gjuhë kërcënuese ndaj një populli të tërë nuk përfaqëson diplomaci, por një mendësi të rrezikshme shoviniste dhe neofashiste. Fjalët e saj janë të papranueshme dhe të padenja për një zyrtare të një shteti që pretendon të jetë pjesë e Evropës demokratike. Snežana Paunović duhet të mbajë përgjegjësi publike dhe politike për deklaratat e saj.

Një ministre nuk ka të drejtë të ringjallë retorikën e dëbimeve, të masakrave dhe të urrejtjes etnike, sidomos kundër një populli që ka përjetuar vrasje, dhunime, dëbime masive, plaçkitje dhe shkatërrime. Për dekada të tëra, qarqet shoviniste serbe kanë fabrikuar dhe shfrytëzuar ngjarje të dyshimta për ta paraqitur popullin shqiptar si fajtor të përhershëm.

Shembulli më famëkeq mbetet rasti i Đorđe Martinovićit, i cili u përdor për të ndezur urrejtjen kundër shqiptarëve dhe për të ushqyer mitin e rrezikimit të serbëve në Kosovë. Edhe pse ekspertizat e asaj kohe dhanë përfundime kundërthënëse për mënyrën se si ndodhi lëndimi, versioni që fajësonte shqiptarët u ngrit menjëherë në nivel të një fushate të gjerë politike e mediatike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një ngjarje individuale dhe e pasqaruar plotësisht u shndërrua në armë propagandistike kundër një populli të tërë. Por koha e trillimeve të tilla duhet të ketë përfunduar. Në Evropën e digjitalizuar, ku deklaratat, dokumentet, pamjet dhe dëshmitë ruhen e krahasohen, shpresa se propaganda e vjetër mund të paraqitet pafundësisht si e vërtetë është vetëm utopi.

Mashtrimet mund të përsëriten, por nuk mund ta fshijnë realitetin historik. Fatkeqësisht, ky realitet është shumë më i rëndë se çdo propagandë. Unë vetë kam pasur në duar fotografi tronditëse të grave shqiptare të dhunuara dhe të gjymtuara mizorisht. Ato pamje nuk ishin trillime, as legjenda politike, por dëshmi të dhunës së ushtruar mbi trupin dhe dinjitetin e njeriut.

Pikërisht për këtë arsye, gjuha kërcënuese e një ministreje nuk mund të trajtohet si një pakujdesi e zakonshme. Ajo plagos përsëri viktimat, rikthen frikën dhe përpiqet ta normalizojë mendësinë që në të kaluarën prodhoi dëbime, dhunime dhe varre të panjohura. Evropa nuk duhet të heshtë përballë një gjuhe të tillë.

Heshtja ndaj urrejtjes së artikuluar nga një përfaqësuese shtetërore nuk është neutralitet; është lejim që e kaluara e përgjakshme të kërcënojë përsëri të ardhmen.

Burimi: Bota Sot