Më shumë se një ndeshje: Ragbi që afron komunitetet, fuqizon vajzat

0%

Vajza të komuniteteve shqiptare, serbe dhe rome u bënë bashkë në një ndeshje miqësore të ragbit, të organizuar në fushën e FC KEK-ut në Plemetin të Obiliqit, në kuadër të projektit PIAKOS. Në aktivitet morën pjesë katër skuadra nga Plemetini, Obiliqi dhe Klina.

Përmes lojës, bashkëpunimit dhe frymës sportive, vajzat patën mundësinë të krijojnë miqësi të reja, të shkëmbejnë përvoja dhe të tregojnë se sporti mund të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa vajzat demonstruan angazhim, disiplinë dhe respekt të ndërsjellë.

Përtej karakterit sportiv, aktiviteti kishte për qëllim fuqizimin e vajzave dhe rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre, veçanërisht për të drejtën në pronë dhe trashëgimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Odeta Naks nga ATRC tha se organizimi i aktivitetit përmes projektit PIAKOS kishte rëndësi të veçantë, pasi mblodhi së bashku vajza të komuniteteve të ndryshme dhe krijoi një hapësirë për bashkëpunim dhe fuqizim. “Ka qenë kënaqësi e veçantë t’i shohim vajzat duke luajtur së bashku dhe duke treguar një frymë të jashtëzakonshme sportive.

Ky aktivitet është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese të projektit PIAKOS për të drejtat pronësore. Sporti është një nga mënyrat më të mira për të fuqizuar jo vetëm vajzat, por edhe familjet e tyre”, tha Naks Ajo theksoi se, krahas aktiviteteve sportive, në kuadër të projektit janë zhvilluar edhe takime ndërgjegjësuese me familjet e vajzave, gjatë të cilave është diskutuar për të drejtat e tyre pronësore dhe trashëgimore.

Këto takime synuan t’i informojnë familjet për rëndësinë e trajtimit të barabartë të vajzave në proceset e trashëgimisë dhe për të drejtën e tyre që të regjistrojnë dhe të gëzojnë pronën në mënyrë të barabartë.

Aktiviteti u përmbyll me ndarjen e medaljeve dhe kupave për skuadrat pjesëmarrëse dhe fituese, duke shënuar njëkohësisht përfundimin e një serie aktivitetesh sportive dhe ndërgjegjësuese me vajzat dhe familjet e tyre. Ndeshja u organizua nga ATRC në kuadër të projektit PIAKOS , me financim të Bankës Botërore.

Projekti synon të promovojë të drejtat pronësore dhe qasjen e barabartë në këto të drejta për të gjithë qytetarët, përmes aktiviteteve informuese, avokuese, ndihmës juridike falas dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me komunitetet.

Përmes aktiviteteve të tilla, projekti PIAKOS dëshmon se sporti, edukimi dhe ndërgjegjësimi mund të ndërthuren për të fuqizuar vajzat, për të afruar komunitetet dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Burimi: Telegrafi