Lituania ka informacione se Rusia po planifikon sulme ndaj infrastrukturës, dhe siguria rreth vendeve të energjisë dhe transportit do të forcohet si masë paraprake, ka deklaruar në një intervistë të publikuar të mërkurën () presidenti Gitanas Nauseda, raporton Reuters .
Nauseda në intervistën për agjencinë e lajmeve BNS ka thënë se nuk ka informacione se kur ose ku janë planifikuar sulmet, dhe nuk ka thënë se vendi i tij është caku. “Ne kemi sinjale të tilla, të cilat i marrim nga shërbimet tona (të inteligjencës).
Ato nuk e identifikojnë qartë vendin ose kohën … sepse kundërshtari nuk është në fund të planifikimit të tij dhe ne dimë vetëm për planifikimin ose qëllimin”, ka theksuar ai. “Mund të jenë mjete të ndryshme që synojnë dëmtimin fizik të infrastrukturës kritike. … Çdo gjë që ndal funksionimin e këtyre vendeve”, ka shtuar ai.
Lituania – anëtare e NATO-s që ndan kufij tokësorë me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me aleatin e Moskës, Bjellorusinë – ka trefishuar shpenzimet e mbrojtjes që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 2022.
Polonia fqinje ka deklaruar më parë gjatë muajit se agjencitë perëndimore të inteligjencës janë të shqetësuara për rrezikun e sulmeve ruse kundër territorit të saj dhe shteteve baltike.
Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat për planifikim, ose kryerjen e sabotimit dhe sulmeve të tjera ndaj vendeve jashtë Ukrainës, duke thënë se raportime të tilla janë pjesë e fushatës propagandistike anti-ruse. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
