Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Në mbrëmjen kushtuar Bilbilit të Kosovës, publiku jo vetëm ka dëgjuar këngë të bukura, por edhe historinë e muzikës shqiptare të rrëfyer nëpërmjet zërave të brezit aktual.
Nexhmije Pagarusha nuk është kujtuar vetëm nëpërmjet repertorit që e bëri të pavdekshme, por edhe me perla të thesarit të muzikës shqipe si një homazh të gjithë asaj epoke të cilën e mbretëroi ikona e muzikës.
Prishtina ka ringjallur imazhin e saj, e koncertet si ky – që shtrihen edhe në Ferizaj e Istog – tashmë janë bërë traditë e Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” Udhëtim nëpër disa prej perlave më të çmuara të muzikës shqiptare ka qenë koncerti tradicional kushtuar Nexhmije Pagarushës në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”.
Këtë herë, Bilbili i Kosovës nuk ka ardhur vetëm nëpërmjet repertorit që e bëri të pavdekshme, por edhe me një mozaik këngësh që përfaqësojnë kohën, frymën dhe universin muzikor të bashkëkohësve të saj. Në ambientin e kuruar thjesht, por me elegancë, ndanë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kanë jehuar vargjet dhe meloditë që prej dekadash janë pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.
Skena e mbushur me drita ka krijuar reflektimin që shihej nga larg si një lloj ftese për publikun e shumtë, i cili kishte mbushur të gjitha ulëset e vendosura përballë skenës, shkallët e Bibliotekës Kombëtare e madje edhe hapësirat përreth.
Në ekranin e madh prapa interpretuesve, imazhet e Nexhmije Pagarushës kanë qenë të pranishme gjatë gjithë mbrëmjes, si muzë dhe imazh qendror i koncertit tradicional që tashmë është bërë pjesë e pandashme e festivalit. Në një mbrëmje ku publiku ka qenë bashkëinterpretues i këngëve, meloditë ikonike janë kënduar fjalë për fjalë bashkë me artistët në skenë.
Këngë si “Mora testin”, “O moj bukuroshe” dhe “Kur një ditë të kthehesh ti” kanë rikthyer nostalgjinë e një kohe kur muzika shqiptare ndërtonte identitetin e saj mbi poezinë dhe melodinë.
Atmosfera është bërë edhe më e hareshme me interpretimin e “Kur më shkon si zog n’hava”, ndërsa në sfond është shfaqur imazhi i Nexhmije Pagarushës me veshje kombëtare, duke e bërë lidhjen midis këngës dhe ikonës edhe më të fuqishme. Programi i sivjetmë ka qenë më i gjerë se vitet e kaluara.
Përveç repertorit të Pagarushës, publiku ka dëgjuar “Kur gjethet bien në vjeshtë”, me muzikë të Leonard Dedës dhe tekst të Odhise Grillos, këngën tradicionale të jugut “Ç’ke moj tambura që s’bije”, “Për ty o lumi im” me tekst të Samir Shehut, “Dola moj dola” me tekst të Tahir Boshlajt, tradicionalen “Trëndafil që rri në portë”, “M’i ke buzët si qershi” të Gazmend Kelmendit, këngën shkodrane “Për mu paska ken’ kismet” si dhe këngën gjakovare “O n’atë fushë t’mejdanit”.
Edhe Kulturë 5 o. më parë Baleti në ndërkombëtarizim të trefishtë në Austri e Itali “Mora testin” interpretuar nga Alma Bektashi, e ka hapur koncertin (Foto: Zyra e Presidentes) Por janë reduktuar disa prej këngëve më të njohura të Pagarushës. Ndër to këngët “Vet ke mbet”, “Kur më del në derë”, “Sytë për ty i kam të njomë” e shumë të tjera.
Por, kësisoj, koncerti nuk ka qenë vetëm homazh për Pagarushën, por edhe për një epokë të artë të muzikës shqiptare. Koordinatori artistik i Festivalit, Besmir Vokopola, ka thënë se mbrëmja kushtuar Nexhmije Pagarushës do të mbetet pjesë e pandashme e festivalit. “Besoj se sa të jetë Festivali, edhe mbrëmja e Nexhmije Pagarushës do të jetë gjithmonë.
Ne jemi përpjekur çdo vit t’u bëjmë homazhe këngëve më të njohura, më ikonike dhe ta hulumtojmë repertorin e Pagarushës, por në të njëjtën kohë duke menduar se ajo ka lëvruar në shumë zhanre, ka kënduar këngën popullore, këngën qytetare, baladat, madje pasi ka pasur formim lirik, ka kënduar edhe arie”, ka thënë Vokopola. Sipas tij, midis gjithë programit ka mbretëruar Nexhmije Pagarusha.
“Këtë vit menduam të shkonim pak më tej dhe të sillnim brenda formatit tonë edhe nuancat e muzikës popullore, të muzikës së jugut, jaret shkodrane që janë gati romanca. Në një mënyrë i bëjmë homazh gjithë asaj epoke ku Nexhmija, sigurisht, mbretëronte”, ka thënë ai.
Solistja Alma Bektashi ka treguar se përzgjedhja e repertorit ka qenë sfiduese pikërisht për shkak të bukurisë dhe pasurisë së këngëve të Pagarushës. Por ka thënë se ka dashur ta këndojë këngën e saj të përzemërt, “Vet ke mbet’”. “Kur e bëja përzgjedhjen e këngëve, secila ishte më e bukur se tjetra dhe isha shumë në dilemë se cilën ta zgjedh.
Po të isha egoiste do t’i zgjidhja të gjitha për vete. Sepse kam dashur ta këndoj edhe ‘Vet ke mbet’. Por e zgjodhëm një repertor që anon pak kah muzika popullore sepse siç dihet, Nexhmije Pagarusha ka kënduar pothuajse në çdo zhanër duke nisur nga muzika popullore deri te muzika e lehtë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, interpretimi i këngëve të artistëve të mëdhenj mbetet gjithmonë përgjegjësi e madhe. “Kur këndon këngë të këngëtarëve të mëdhenj është shumë sfidë, sepse gjithmonë kur i vë vulën në origjinal, duhet ta sjellësh atë aq bukur në mënyrë profesionale në këtë kohë ose të mos e këndosh fare.
Ka sy dhe vesh kritik që mund të të kritikojë për mënyrën sesi e ke trajtuar atë këngë”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e nevojshme t’i kujtohet publikut se dikur janë krijuar këngë kaq të bukura.
Në një mbrëmje ku publiku ka qenë bashkëinterpretues i këngëve, meloditë ikonike janë kënduar fjalë për fjalë bashkë me artistët në skenë (Foto: Zyra e Presidentes) Bektashi ka veçuar edhe këngën “Dashuro”, duke e cilësuar si një ndër veprat më komplekse të repertorit të Pagarushës.
“‘Dashuro’ është një këngë që përbrenda ka disa elemente: thyerje të ritmit, modernizëm, por njëkohësisht tabanin e etnosit popullor muzikor shqiptar. Ajo këngë i ka të përfshira të gjitha. Është si tre në një dhe ta jep mundësinë të luash me këngën, të shprehesh dhe të tregosh edhe aspektin ritmik harmonik, por edhe melodik”, është shprehur këngëtarja Alma Bektashi.
Tenori Liridon Sadriu e ka cilësuar të veçantë emocionin e interpretimit të këngëve që lidhen me figurën e Nexhmije Pagarushës. “Emocion i veçantë të këndosh dhe ta përkujtosh të madhen, Nexhmije Pagarusha. Është ndjenjë e veçantë”, ka thënë ai. Sipas tij, përfshirja e këngëve të bashkëkohësve të saj ka qenë një pasurim i programit artistik.
Edhe Kulturë 8 o. më parë “Tjetër herë” përmbys shikimin për të vënë në dyshim kohën “Krahas ikonës sonë, edhe me këngë të bashkëkohësve të saj i kemi përkujtuar në një aspekt, gjë që nga ana ime ka qenë shumë e mirëpritur”, ka thënë ai. Sipas Sadriut, ky repertor është veçanërisht i rëndësishëm për t’iu prezantuar brezave të rinj.
“Tek të rinjtë mbase këto këngë nuk janë shumë të njohura, por te mosha më e vjetër, ata janë rritur me këto këngë. I presin me emocion, me ndjenjë të veçantë, me respekt dhe mbi të gjitha me përkrahje shumë të madhe që na dhanë sonte me duartrokitjet e tyre”, ka thënë më tej tenori Liridon Sadriu. Pikërisht ky komunikim midis brezave ishte një prej vlerave më të mëdha të koncertit.
Publiku më i vjetër i ka përjetuar meloditë si rikthim në kujtime, ndërsa për të rinjtë ato kanë ardhur si dëshmi e pasurisë së muzikës shqiptare. Këngëtari Samir Shehu ka thënë se trashëgimi të tilla duhet të promovohen vazhdimisht.
“Kjo do të thotë shumë, sepse këto këngë, këto gurra, këto perla të muzikës tonë duhet të trashëgohen dhe të promovohen siç i promovon zoti Lahaj në mbarë botën. Jam shumë i gëzuar që sonte ky publik ka qenë i mrekullueshëm”, ka thënë ai. Sipas Shehut, interpretimi i këtij repertori është privilegj edhe për vetë artistët. “Për ne është privilegj t’i këndojmë këto këngë.
Ne i trashëgojmë ato që këta artistë të mëdhenj na i lanë pas që ne t’i kemi në vazhdimësi. Patjetër se na rrisin në karrierë”, ka thënë ai. Edhe sopranoja Malvina Likaj ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së autenticitetit të këtyre veprave.
“Ndjesia ka qenë e papërshkrueshme, emocionet po ashtu, duartrokitjet e publikut na kanë bërë të ndihemi shumë mirë, organizimi është perfekt, kështu që çdo gjë ka qenë e përkryer.
Të këndosh këngët e të madhes Nexhmije Pagarusha është nder dhe përgjegjësi mbi të gjitha për ne si artistë, që t’i sjellim në një frymë të re, moderne, por normalisht duke ruajtur origjinalitetin e tyre”, ka thënë ajo.
Programi muzikor, në përgjithësi ka përfshirë këngët “Mora testin”, “Dola moj dola”, “O moj bukuroshe”, “Kah pranvera”, “Kur gjethet bien në vjeshtë”, “Trëndafil që rri në portë”, “M’i ke buzët si qershi”, “Kur një ditë të kthehesh ti” dhe “Për mu’ paska ken’ kismet”.
Në pjesën e dytë të programit janë interpretuar “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’ke moj tambura që s’bije”, “Për ty o lumi im”, “O në atë fushë të Mejdanit” dhe “Dashuro”. Mbrëmja është përmbyllur me një kolazh të disa prej këngëve ikonike të Nexhmije Pagarushës – “E dehun jam”, “Zani i tij më thërret”, “E kujtoj atë takim” dhe “Baresha” – të interpretuara nga të katër artistët.
Për anën instrumentale është krijuar “Pagarusha Band”, nën aranzhimin e kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Shpëtim Saraçi. Ansambli është përbërë nga Markeljan Kapedani në piano, Klejdi Barbullushi në kitarë, Indrit Kodrallija në saksofon dhe klarinetë, Altin Tomaj në fizarmonikë, Françesk Fjerza në bas-kitarë dhe Jetmir Mesi në bateri dhe perkusion.
Edhe Kulturë 19 o. më parë Prishtina jehon me këngën e Nexhmije Pagarushës E njëjta atmosferë do të udhëtojë edhe në Ferizaj më 16 korrik dhe në Istog, dy ditë më pas. Koncertet janë falas. Në mbrëmjen kushtuar Bilbilit të Kosovës, publiku jo vetëm ka dëgjuar këngë të bukura, por edhe historinë e muzikës shqiptare të rrëfyer përmes zërave të brezit aktual.
Për anën instrumentale është krijuar “Pagarusha Band”, nën aranzhimin e kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Shpëtim Saraçi. Ansambli është përbërë nga Markeljan Kapedani në piano, Klejdi Barbullushi në kitarë, Indrit Kodrallija në saksofon dhe klarinetë, Altin Tomaj në fizarmonikë, Françesk Fjerza në bas-kitarë dhe Jetmir Mesi në bateri dhe perkusion (Foto: Zyra e Presidentes)
