Interi ka dalë papritur në garë për transferimin e mbrojtësit të Tottenhamit, Djed Spence, teksa kampionët e Italisë po kërkojnë të forcojnë skuadrën për mbrojtjen e titullit në Serie A. Sipas raportimeve, reprezentuesi anglez është i hapur për një transferim në “San Siro”, pas ringjalljes së karrierës së tij në Londër dhe me kombëtaren e Anglisë.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Interi ka nisur bisedimet me Tottenhamin për një marrëveshje të mundshme për Spencen. Gjiganti italian është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë pas largimit të Denzel Dumfries drejt Real Madridit në fillim të këtij muaji.
Raportohet se 25-vjeçari është i gatshëm të bashkohet me kampionët në fuqi të Italisë, të cilët synojnë të ndërtojnë mbi suksesin e titullit të 21-të në Serie A. Një transferim i tillë do të përbënte një kthesë të madhe në karrierën e Spences, i cili në fillim pati vështirësi të përshtatej te Tottenhami.
Nën drejtimin e Cristian Chivut, Interi po kërkon futbollistë të gjithanshëm për të forcuar skuadrën në garën për trofe vendas dhe në Ligën e Kampionëve. Spence ka kaluar disa periudha huazimi për të rigjetur formën, ndërsa njëra prej tyre ishte pikërisht në Itali, ku zhvilloi 16 ndeshje në Serie A me Genoan gjatë pjesës së dytë të sezonit 2023/24.
Kjo përvojë e mëparshme në futbollin italian e bën atë një objektiv tërheqës dhe me rrezik të ulët për drejtuesit e Interit. Interesimi i fituesit tri herë të Ligës së Kampionëve vjen në një moment kur vlera e Spences është rritur ndjeshëm.
Pavarësisht dyshimeve fillestare për përfshirjen e tij në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës, mbrojtësi është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Thomas Tuchelin. Edhe pse luan me një maskë mbrojtëse pas thyerjes së nofullës që pësoi në muajin maj, Spence dha një kontribut të madh në fitoren e Anglisë ndaj Norvegjisë në çerekfinale.
Paraqitja e tij e mirë e ka futur në garë për një vend në formacionin titullar në gjysmëfinalen kundër Argjentinës. Gjatë gjithë turneut ai ka treguar shpejtësinë dhe depërtimet që e bënë të spikaste gjatë sezonit të tij të suksesshëm me Nottingham Forest.
Spence kishte lënë përshtypje shumë të mira gjatë huazimit nga Middlesbrough te Forest, duke ndihmuar klubin të rikthehej në Premierligë pas triumfit në “play-off” të Championship në sezonin 2021/22. Pas 30 paraqitjeve në Premierligë me Tottenhamin sezonin e kaluar, ai ka dëshmuar se mund të konkurrojë në nivelin më të lartë.
Nëse marrëveshja realizohet, ajo do të shënonte një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e mbrojtësit anglez. Që nga transferimi te Tottenhami në vitin 2022 nga Middlesbrough, Spence ka zhvilluar 85 ndeshje me klubin londinez, edhe pse rruga e tij drejt formacionit të parë nuk ka qenë aspak e lehtë.
Huazimet te Rennes, Leeds United dhe Genoa i ndihmuan të fitonte përvojë, përpara se të vendosej si një lojtar i rëndësishëm në Premierligë. Tashmë me 13 paraqitje për Anglinë dhe me një gjysmëfinale të Kupës së Botës përpara, Spence nuk konsiderohet më një talent i papërpunuar.
Një transferim në “San Siro” do t’i ofronte mundësinë të luftonte rregullisht për trofe madhorë dhe të luante në Ligën e Kampionëve.
