Goditje për ministren serbe, vjen reagimi i ashpër: Mjaft me gjuhën e

0%

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Kosova e ka shpallur person “non grata” ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe transitin në territorin e Kosovës.

Sipas Sveçlës, vendimi erdhi pas deklaratave të Paunoviqit, e cila ditë më parë tha se në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Në reagimin e tij, Sveçla tha se deklaratat e ministres serbe dëshmojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga ideologjia e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, duke përmendur edhe regjimin e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo deklarate apo veprimi që cenon sigurinë, sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit. Analisti politik Artan Nimani e ka vlerësuar si të drejtë dhe të domosdoshëm vendimin e institucioneve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen ministres serbe Snezhana Paunoviq.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në një deklaratë për “Bota sot”, Nimani tha se deklaratat që justifikojnë spastrimin etnik nuk janë vetëm provokime politike, por cenojnë paqen dhe bashkëjetesën. Ai shtoi se Kosova ka të drejtën dhe obligimin të mbrojë sovranitetin dhe dinjitetin e saj, duke kërkuar që e gjithë shoqëria të kundërshtojë narrativat që relativizojnë krimet e së kaluarës.

“Vendimi është i drejtë dhe i domosdoshëm. Është koha që t’i thuhet mjaft gjuhës dhe logjikës politike që vazhdon ta shohë Kosovën përmes narrativave të viteve ’90 dhe që përpiqet të justifikojë krimet e spastrimit etnik. Deklarata të tilla nuk janë thjesht provokime politike, por cenojnë vlerat mbi të cilat ndërtohet paqja dhe bashkëjetesa.

Kosova është shtet sovran dhe ka jo vetëm të drejtën, por edhe obligimin të mbrojë dinjitetin e saj shtetëror dhe qytetarët e saj. Në këtë drejtim, nuk duhet të heshtë vetëm politika. E gjithë skena shoqërore, akademike, mediale dhe institucionale duhet të ngrejë zërin kundër këtij narracioni të rrezikshëm, që synon të relativizojë vuajtjet e së kaluarës dhe të cenojë të ardhmen tonë.

Përballë gjuhës së urrejtjes dhe mohimit, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë: vendosmëri në mbrojtje të shtetit, të vërtetës historike dhe të vlerave demokratike ” – deklaron ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot