Ekskluzive/ Bayern Munich “rrëmben” super talentin kosovar, Lisian

0%

Një nga talentët më të mëdhenj që ka prodhuar futbolli kosovar në vitet e fundit është gati të shkruajë histori. Telegrafi mëson ekskluzivisht se Lisian Thaçi do ta vazhdojë karrierën te FC Bayern Munich, ku do t’i bashkohet zyrtarisht FC Bayern Global Academy, një program elitar i klubit bavarez për zhvillimin e futbollistëve me potencial të jashtëzakonshëm.

Marrëveshja është finalizuar nga Spark Soccer Agency, përmes FIFA agjentëve, Lulzim Murtezaj dhe Adonis Arifi, të cilët kanë udhëhequr procesin që dërgon talentin kosovar në një nga klubet më të mëdha në botë.

Ky është një moment historik për futbollin e Kosovës, pasi për herë të parë një futbollist nga vendi ynë bëhet pjesë e një programi afatgjatë zhvillimor të një prej klubeve më të mëdha në botë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Rrugëtimi i futbollistit pejan drejt Munichut nisi vitin e kaluar, kur ai u përzgjodh në projektin prestigjioz Bayern World Squad 2025, ku la përshtypje të jashtëzakonshme me paraqitjet dhe mentalitetin e tij. Pikërisht aty drejtuesit dhe skautët e Bayernit panë potencialin e madh të mesfushorit kosovar dhe vendosën ta mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Thaçi, i lindur në vitin 2009, konsiderohet prej kohësh si një nga mesfushorët më premtues të brezit të tij dhe shihet si një nga shpresat më të mëdha të futbollit kosovar.

Kalimi i tij në Bayern nuk është vetëm një hap i madh për karrierën personale, por edhe një mesazh i fuqishëm për futbollin e Kosovës – dhe është shenjë e qartë që për futbollistët kosovarë nuk ka limite dhe se mund të arrijnë në nivelet më të larta kur cilësia shoqërohet me punë dhe përkushtim.

Tashmë, sfida e radhës për supertalentin kosovar fillon në Munich, aty ku do të ketë mundësinë të zhvillohet sipas metodologjisë së Bayernit dhe në përputhje me filozofinë që ka prodhuar disa nga futbollistët më të mirë në botë. Një kapitull i ri po nis për Lisian Thaçin. Por, njëkohësisht, edhe një kapitull i ri për futbollin e Kosovës.

Burimi: Telegrafi