Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të PD-së ditën e sotme, ku janë diskutuar çështje të aktualitetit kombëtar, përfshirë edhe protestën. Ai u shpreh lidhur me rëndësinë e partisë demokratike në zhvillimin e protestave ndër vite: “Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njërit.
Një betejë me njërin nga tre armiqtë më kryesor të tij, me tiraninë. PD vjen në këto momente si një parti e pamposhtur, si një parti që kundër kësaj diktature autoritare zhvilloi në tre vite mbi 400 protesta, zhvilloi me qindra akte-veprime kundër saj.
Vjen në këtë moment pasi ajo ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale” Sipas tij, Partia Demokratike vjen me një mision : “Kryesia e PD miratoi propozimet që vijojnë për Këshillin e Diasporës, anëtarët e Diasporës që do jenë në Këshillin Kombëtar. Këto propozime kanë ardhur nga degët dhe janë plotësuar këtu.
PD vazhdon me të gjithë potencialin e saj misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe natyrisht rikthimin në pushtet, rotacionin e pushtetit.
Kjo verë e nxehtë në temperatura, është edhe më e nxehtë në rrafshin politik.” Gjithashtu, ai kërkoi nderim për dhjetëra e mijëra qytetarët të cilët marrin pjesë në protestën aktuale: “Ndaj le tu shprehim nderimin më të madh atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që çdo natë luftojnë me diktaturën, me narko-diktaturën,ndër më të egrat dhe të shëmtuarat në Europë dhe në botë.”
