Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë vitit 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Duke komentuar këtë çështje, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se Bashkimi Evropian nuk komenton deklarata individuale të zyrtarëve politikë. Megjithatë, ajo nënvizoi se qëndrimi i BE-së është i qartë dhe i pandryshueshëm: në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, promovon apo relativizon spastrimin etnik ose krimet e luftës.
Hipper theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut, pajtimi rajonal dhe promovimi i paqes mbeten vlera themelore të Bashkimit Evropian, ndërsa çdo deklaratë që bie ndesh me këto parime është e papranueshme. Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela.
Ai tha për gazetën se reagimi i Bashkimit Evropian tregon se BE-ja e konsideron luftën e Kosovës si të drejtë dhe refuzon narrativat apo politikat e Serbisë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. “ Kjo tregon se Bashkimi Evropian i qëndron luftës për çlirimin e Kosovës si një luftë e drejtë, dhe brenda të drejtave të njeriut – sepse ajo ka qenë nje luftë për çlirim kombëtar.
Prandaj kuptohet se politika e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është krejt e papranueshme nga Bashkimi Evropian ”, u shpreh ai. Duke vazhduar avokati shton se deklarata e ministres pasqyron, sipas tij, vazhdimësinë e politikave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa e paraqet pavarësinë e Kosovës si një fitore historike të shqiptarëve ndaj sundimit serb.
“ Ky ministër kuptohet se është një nga mbetjet pa vlerë të Sllobodan Milosheviçit. Prandaj, kjo është prapambetja mendore e serbëve, të cilët kanë dy shekuj që po flasin marrëzira kundër shqiptarëve. Kosova tani quhet mbajtësja e trofeut historik të popullit shqiptar, kundër një pushtuesi të egër dhe shekullor të Dardanisë.
Kurse dihet sot që shqiptaria është duke përjetuar suksesin e madh historik të saj ”, përfundoi Ngjela për “Bota sot”. Kujtojmë që reagimet kanë qenë të mëdhaja gjatë tërë ditës në lidhje me këtë deklaratë, duke dënuar ashpër Serbinë. E së fundmi Kosova edhe e shpalli ‘non grata’ ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq.
