Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar përmes një video-mesazhi se ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kreut të kësaj partie.
Gjatë këtij adresimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas tij, pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve pa asnjë vonesë do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
“Për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”- ka thënë ai. Në këto rrethana, ka pohuar ai, nuk mund të vazhdojë bisedimet për themelimin institucioneve të vendit.
