Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas nismës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku janë dorëzuar 148 nënshkrime të paraverifikuara nga anëtarë të LDK-së.
Abdixhiku ka bërë të ditur se ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të partisë që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e këtij kuvendi, duke theksuar se procesi do të zhvillohet sipas rregullave të brendshme të LDK-së. Ai ka deklaruar se nuk do t’i shmanget një procesi demokratik dhe se vendimi për të ardhmen e tij në krye të partisë do t’i takojë delegatëve.
“LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtëpi e demokracisë. Nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka thënë Abdixhiku. Kreu i LDK-së ka njoftuar gjithashtu se do t’i ndërpresë angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës deri në përfundimin e procesit të brendshëm politik në parti.
Pas certifikimit të nënshkrimeve, pritet të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin përmes votës për drejtimin e ardhshëm të LDK-së. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
