​26 punonjës padisin Meta-n, pretendojnë se AI zgjodhi kujt i “ra

0%

Një grup prej 26 punonjësish të kompanisë Meta kanë ngritur padi ndaj gjigantit të teknologjisë, duke e akuzuar se përdori sisteme të inteligjencës artificiale (AI) për të përzgjedhur punonjësit që do të largoheshin nga puna, duke prekur në mënyrë disproporcionale ata që ishin në pushim me leje mjekësore, prindërore ose familjare.

Padia, e depozituar të hënën në një gjykatë federale në Oakland të Kalifornisë, lidhet me valën e largimeve të njoftuara nga Meta në muajin maj, kur kompania bëri të ditur se do të shkurtonte rreth 8 mijë vende pune, ose afërsisht 10% të fuqisë së saj punëtore.

Sipas padisë, Meta përdori sisteme të brendshme të inteligjencës artificiale, të dhëna për monitorimin e aktivitetit dhe shtypjes së tasteve në kompjuter, panele që matnin përdorimin e mjeteve të AI-së, si dhe renditje të performancës të ndihmuara nga algoritme, për të vendosur se cilët punonjës do të përfshiheshin në shkurtimet e stafit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Paditësit pretendojnë se këto sisteme nuk merrnin parasysh faktin që punonjësit në pushim të mbrojtur nga lejet mjekësore ose familjare nuk mund të arrinin të njëjtin nivel pune dhe produktiviteti si kolegët e tyre. Sipas tyre, Meta nuk mori për bazë vlerësimin automatik kur pezulloi punonjësit dhe nuk zhvilloi një shqyrtim individual të rasteve, siç kërkohet nga ligji.

Si rezultat, padia pretendon se punonjësit që ndodheshin në leje të mbrojtur u përzgjodhën në mënyrë jo proporcionale për t’u larguar nga puna, raporton AP përcjell Kosova Press. Të 26 paditësit, identiteti i të cilëve nuk është bërë publik, kishin marrë leje të mbrojtura dhe kishin kërkuar ose përfituar masa lehtësuese për shkak të aftësive të tyre të kufizuara.

Edhe pse janë njoftuar për largimin e tyre, ata vijojnë të jenë ende të punësuar në Meta, ndërsa ndërprerja e kontratave pritet të nisë më 22 korrik. Sipas padisë, rreth gjysma e paditësve kishin marrë leje për kujdes familjar ose për arsye që lidhen me pushim të lehonisë.

Tetë prej tyre janë gra që kishin marrë leje lindjeje ose shtatzënie, katër janë burra që kishin marrë leje prindërore, ndërsa një grua kishte marrë leje për t’u kujdesur për një anëtar të familjes dhe më pas leje zie.

Po ashtu, padia përmend rastin e një punonjësi që kishte deklaruar një gjendje të rëndë shëndetësore dhe aftësi të kufizuar, e cila ishte miratuar edhe nga ofruesi shëndetësor i Meta-s. Sipas pretendimeve, ai ishte dekurajuar nga një menaxher që të mos merrte lejen mjekësore, me paralajmërimin se kjo do ta bënte më të mundshme përzgjedhjen e tij për pushim nga puna.

Padia pretendon gjithashtu se Meta nuk i ofroi atij akomodimin e nevojshëm për rastin e tij specifik. Në një deklaratë, Meta i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se ato “janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në fakte”. Kompania theksoi se “menaxhimi i fuqisë punëtore dhe vendimet organizative janë marrë dhe vazhdojnë të merren nga njerëzit, jo nga inteligjenca artificiale”.

Paditësit argumentojnë se largimet nga puna kanë shkelur një sërë ligjesh federale dhe shtetërore amerikane, përfshirë Ligjin për Lejen Familjare dhe Mjekësore (Family and Medical Leave Act), Ligjin për Amerikanët me Aftësi të Kufizuara (Americans with Disabilities Act), Ligjin kundër Diskriminimit për Shkak të Shtatzënisë (Pregnancy Discrimination Act) dhe Ligjin për Drejtësinë ndaj Punonjëseve Shtatzëna (Pregnant Workers Fairness Act).

Padia mbështetet gjithashtu në parimin ligjor të njohur si “disparate impact” (ndikim disproporcional), sipas të cilit një politikë që duket neutrale mund të konsiderohet diskriminuese nëse prek në mënyrë të pabarabartë një kategori të mbrojtur punonjësish dhe nuk është e domosdoshme për kryerjen e punës.

Avokatët e paditësve pretendojnë se sistemi algoritmik i përdorur nga Meta regjistronte mungesat për shkak të lejeve si ulje të performancës, duke ndikuar më shumë te gratë, të cilat statistikisht marrin më shpesh leje shtatzënie dhe kujdesi familjar.

Avokatët e paditësve kanë kërkuar që gjykata të ruajë statusin aktual të punonjësve dhe të pezullojë largimet e tyre deri në përfundimin e arbitrazhit.

Sipas tyre, nëse pushimet nga puna hyjnë në fuqi, dëmet do të jenë të pakthyeshme, duke përfshirë humbjen e sigurimit shëndetësor gjatë shtatzënisë ose trajtimit mjekësor, humbjen e të drejtave për leje të mbrojtura, humbjen e përfitimeve financiare dhe, në disa raste, pasoja edhe për statusin e emigracionit të punonjësve.

Burimi: Bota Sot