Shqipëria mbyll tre kapituj të rinj të negociatave me BE-në

0%

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, duke mbyllur sot tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për kapitujt me numra rendorë 25, 26 dhe 30, për të cilët ose nuk ka pasur nevojë për negociata të gjata ose Shqipëria ka përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuara.

Procesi i negociatave për anëtarësim në BE përfshin gjithsej 33 kapituj. Në një konferencë për media, kryeministri Edi Rama tha se ky zhvillim përbën një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ai u shpreh se kjo gjë shënon “një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm në BE”.

Ndërkaq, Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cilësoi këtë si një moment historik për Shqipërinë, por theksoi se vendin e pret ende punë e madhe deri në përmbylljen e të gjithë kapitujve negociues.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shqipëria ka mbyllur kapitullin 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura), të cilët tradicionalisht hapen dhe mbyllen njëkohësisht, pasi nuk kërkojnë harmonizim të gjerë ligjor me legjislacionin e BE-së, por bazohen kryesisht në disa parime themelore.

Megjithatë, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re të zgjerimit të BE-së, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet pa miratimin e raportit të ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e sundimit të ligjit, i njohur si IBAR.

Ky raport për Shqipërinë u miratua me disa muaj vonesë për shkak të rezervave të disa shteteve anëtare, por miratimi i tij i hapi rrugë vendit për të hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi gjatë vitit të kaluar kishte arritur progres të konsiderueshëm duke hapur të gjithë kapitujt negociues. Po ashtu, Shqipëria ka mbyllur edhe kapitullin 30, që lidhet me politikën e jashtme.

Në këtë fushë, vendi nuk ka hasur vështirësi, pasi është plotësisht i harmonizuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe, njëkohësisht, është anëtar i NATO-s. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com