Mbi monitorimin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, dy organizatat e shoqërisë civile, BIRN dhe Internews Kosova, kanë arritur në konstatimet se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ishte pa transparencë të plotë dhe me probleme serioze në vlerësimin e integritetit dhe meritokracisë.
Mbi të dhënat e plota të siguruara pas procesit të votimit dhe më pak se 30 orë deri në publikimin e këtij raporti Në më pak se 30 orë kohë prej kur dokumentacionet e plota të vlerësimit u bënë publike, një standard ky jo i hasur deri më tani në Kosovë, BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë si në vijim: Procesi nuk kishte transparencë të plotë, e cila do të garantonte vlerësim të plotë dhe të pavarur të shoqërisë civile para procesit të vendimmarrjes; Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi për kandidatët pa u bërë transparente për publikun vlerësimet për këta kandidatë, standard ky i ndryshëm nga proceset meritokratike; Komisioni vlerësues i KPK nuk i kishte zbatuar udhëzimet procedurale për verifikimin e integritetit të kandidatëve, duke vlerësuar vetëm nivelin deklarativ të kandidatëve, pa gjurmuar të dhënat publike për pretendimet edhe të vetë u.d. presidentes Albulena Haxhiu dhe raportimet e saj në Policinë e Kosovës për problemet e kandidatëve me integritet; Procesi, në tërësinë e tij, nuk ka garantuar verifikim transparent dhe të qartë për të kaluarën e kandidatëve të cilët i janë nënshtruar procesit.
Raporti analizon tërësinë e procesit duke u fokusuar në vlerësimin e kandidatit të përzgjedhur për Kryeprokuror të Shtetit përgjigjet e kandidatëve të tejerë dhe vlerësimet e antarëve të komisionit do jenë pjesë e një raporti tjetër.
Vlerësimi për transparencën e procesit Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka publikuar dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnullah Gashi, , në më pak se 30 orë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Prokurorial, në të cilën ishte vendosur që Gashi të nominohet për Kryeprokuror të Shtetit.
Haxhiu, në në Facebook, ka shkruar se para dekretimit të Gashit i ka konsultuar edhe raportet e organizatave të shoqërisë civile të cilat e kanë monitoruar procesin e rekrutimit, por një gjë e tillë nuk është e saktë.
Haxhiu nuk e ka kërkuar raportin e monitorimit të BIRN Kosova dhe Internews Kosova, një praktikë kjo ndryshe nga procesi paraprak kur ishte refuzuar dekretimi i kandidatit Blerim Isufaj.
Në procesin e kaluar të rekrutimit, kur ishte refuzuar dekretimi i Isufajt, monitoruesja e BIRN dhe Internews Kosova ishte ftuar në takim nga presidentja Vjosa Osmani Sadriu për t’i paraqitur gjetjet në monitorim të procesit të rekrutimit dhe ku kishin paraqitur vërejtjet serioze të atij procesi.
Për shkak të mungesës së qasjes në të dhënat e rëndësishme (poentimi i kandidatëve nga secili anëtar i komisionit vlerësues dhe arsyetimi i tyre), të cilat janë publikuar vetëm dje (), pas vendimit të KPK, BIRN dhe Internews Kosova nuk kanë arritur të publikojnë raportin në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi.
Në proceset meritokratike të monitoruara deri më tani nga BIRN dhe Internews Kosova, dhe që janë asistuar nga projekti i Ambasadës britanike, komisioni vlerësues i publikonte pikët për secilin kandidat para monitoruesve dhe njëkohësisht i arsyetonte ato.
Për dallim nga ato procese të rekrutimit, në procesin e rekrutimit të Kryeprokurorit Gashi nuk janë publikuar pikët e secilit anëtar të komisionit vlerësues për secilën përgjigje të kandidatëve. Në mungesë të poentimit dhe arsyetimit të tyre, BIRN dhe Internews Kosova më kanë kërkuar qasje në dokumente në mënyrë që t’i ketë këto informacione para se të hartojë Raportin e Monitorimit.
Por, KPK ka vendosur që këtë raport ta publikojë më , në ditën kur kanë vendosur që Zejnullah Gashi t’i propozohet u.d. presidentes për dekretim duke pamundësuar kështu një analizë të qartë nëse procesi i vlerësimit ishte i drejtë dhe në përputhje me standardet e transparencës të Rregullores së KPK-së nr. 07/2024 (e plotësuar me Rregulloren nr. 07/2026) dhe udhëzuesit të saj (shtojca F).
Konsiderojmë që një proces i rekrutimit nuk mund të analizohet, e as raporti i monitorimit nuk mund të jetë i plotë nëse nuk analizohen në tërësi përgjigjet e kandidatëve dhe mënyra e poentimit të tyre nga secili anëtar i komisionit vlerësues.
Përpos këtij fakti, BIRN dhe Internews Kosova konstatojnë se procesi i votimit në KPK nuk u zhvillua me standardet e transparencës të Rregullores së KPK-së nr. 07/2024 (e plotësuar me Rregulloren nr. 07/2026) dhe udhëzuesit të saj (shtojca F) si dhe të të gjitha të dhënave para proceseve të vendimmarrjeve dhe proceseve meritokratike të zhvilluara deri më tani.
BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë se shoqëria civile u përjashtua nga e drejta që para përfundimit të procesit, e mbi të dhënat e plota, të japin vlerësim për integritetin e procesit para vendimmarrjes.
Si organizata që monitoruan procesin, transparenca në këtë proces ishte larg standardeve të cilat janë aplikuar deri më tani në proceset e përzgjedhjes së figurave të larta publike të zhvilluara sipas standardeve britanike.
Analiza ligjore dhe faktike e procesit të transparencës Mungesa e transparencës në punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shpërfaq në mënyrë të pakontestueshme përmes veprimeve administrative të ndërmarra ndërmjet datave dhe , duke cenuar rëndë parimin e përgjithshëm të transparencës dhe meritokracisë, të sanksionuar në nenin 4 të Rregullores nr. 07/2024 dhe plotësim-ndryshimin e vitit 2026.
Më datë , ekipi i monitorimit i ishte drejtuar KPK-së me kërkesë zyrtare për qasje në dokumente publike, duke kërkuar dokumentacionin e plotë të vlerësimit dhe poentimit të komisionit për kandidatët, përfshirë arsyetimet specifike të dhëna nga secili anëtar i panelit vlerësues.
Ndonëse KPK përmes konfirmimit zyrtar të datës kishte caktuar datën në ora si terminin kur monitoruesit mund të paraqiteshin në zyrat e saj për të ushtruar këtë të drejtë kushtetuese e ligjore, ky zotim u shpërfill dhe u anulua në mënyrë të njëanshme.
Po atë ditë (), në ora , KPK mbajti mbledhjen zyrtare në të cilën pika kryesore e rendit të ditës ishte votimi dhe nominimi i kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, ndërsa vetëm në ora – saktësisht 1 orë e 27 minuta para terminit të caktuar për qasje dhe pasi procesi i votimit tashmë kishte përfunduar, KPK dërgoi një e-mail njoftues përmes të cilit anulonte takimin e orës me arsyetimin se vlerësimet për pesë kandidatët ishin publikuar në ueb-faqen e saj.
Ky publikim, i bërë post-festum (pas kryerjes së votimit nominal të Kryeprokurorit të Shtetit që u zhvillua po atë ditë në ora ), rezultoi të jetë një gjysmë-masë procedurale dhe shmangie e pastër administrative nga llogaridhënia.
Ky veprim sabotoi dhe zhvlerësoi tërësisht rolin mbikëqyrës të organizatave të shoqërisë civile, duke u dhënë atyre mundësinë për të parë vlerësimet vetëm pasi kandidati ishte përzgjedhur dhe i gjithë procesi kishte përfunduar në mënyrë të pakthyeshme.
Kjo sekuencë ngjarjesh dëshmon se KPK qëllimisht përdori mjete administrative për të pamundësuar mbikëqyrjen publike në kohë reale dhe monitorimin e vlerësimit të integritetit, duke e kthyer transparencën në një akt të zhvleftësuar, formal dhe post-faktik, me qëllim të vetëm që të sabotohej dhe të parandalohej çfarëdo reagimi apo vlerësimi paraprak nga ana e shoqërisë civile.
Për organizatat e shoqërisë civile dhe monitoruesit e pavarur, qasja në mënyrën e arsyetimit të detajuar dhe individual të secilit anëtar të panelit vlerësues – e jo thjesht në shifrat numerike apo në përmbledhje të unifikuara post-festum – është një mjet jetik dhe i pazëvendësueshëm për të garantuar ligjshmërinë, transparencën dhe meritokracinë e tërë procesit përzgjedhës.
Ky rol monitorues i shoqërisë civile është i sanksionuar si parim themelor në nenin 4 të Rregullores bazë nr. 07/2024 dhe është fuqizuar edhe më tej përmes shtimit të nenit 6A (Monitorimi i procesit) nga Rregullorja nr. 07/2026, i cili obligon Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) të ftojë palët e interesuara për monitorimin e procesit.
Megjithatë, duke e pamundësuar qasjen në dokumente në kohë reale dhe duke i publikuar ato vetëm pasi u votua dhe u përzgjodh nominalisht Kryeprokurori i Shtetit (më ), KPK nuk arriti të përmbushë standardin e transparencës para vendimmarrjes në raport me publikun dhe shoqërinë civile.
Ky veprim administrativ de facto e asgjësoi mbikëqyrjen publike në kohë reale, duke u dhënë organizatave të pavarura të shoqërisë civile mundësinë për të parë vlerësimet vetëm post-festum (pasi procesi kishte përfunduar në mënyrë të pakthyeshme), duke pamundësuar kështu çfarëdo reagimi, analize apo kontestimi paraprak përpara votimit vendimtar.
Sipas nenit 15, paragrafit 2 të Rregullores bazë nr. 07/2024 (dispozitë kjo që mbetet e pandryshuar dhe në fuqi të plotë edhe pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re nr. 07/2026) dhe udhëzimeve të prera të shtojcës F (Udhëzuesi i Panelit Vlerësues), i cili sipas nenit 7 të Rregullores nr. 07/2026 përbën pjesë tërësisht integrale të kornizës normative, çdo vlerësim duhet të shoqërohet me një arsyetim të elaboruar që shpjegon përputhshmërinë logjike me pikët e dhëna.
Pa pasur qasje në këto arsyetime specifike, OJQ-të e kanë të pamundur të verifikojnë nëse poentimi është rezultat i një vlerësimi objektiv dhe meritokratik, apo nëse ai përfaqëson një vendimmarrje arbitrare të anëtarëve të panelit.
Transparenca procedurale nuk konsiston thjesht në shpërndarjen e shifrave përfundimtare pasi procesi të ketë përfunduar, por në mundësimin e analizës publike mbi arsyet dhe faktet që kanë shtyrë një anëtar të panelit të japë poentim maksimal (siç është rasti i 20 pikëve të plota për integritet).
Ky nivel i ulët i transparencës bëhet edhe më i qartë kur shihet se dokumenti i vetëm i publikuar nga KPK nuk përmban fletë-poentimet apo vlerësimet e detajuara dhe origjinale të secilit anëtar, por kufizohet në vetëm një fletë të unifikuar të emëruar “Përmbledhje e arsyetimit nga anëtari i Panelit Vlerësues”.
Ky veprim administrativ i KPK e kthen në një akt krejtësisht formal dhe të zhvlerësuar tërë transparencën procedurale dhe të drejtën e monitorimit të garantuar nga korniza normative e vitit 2024 dhe plotësimet e saj të vitit 2026.
Procesi pa verifikim të integritetit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit Mbi analizën e pikëve dhe përgjigjeve të dhëna, BIRN dhe Internews Kosova konstatojnë se të gjithë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit janë vlerësuar me nga 20 pikë në fushën e integritetit duke u bazuar vetëm në deklaratat e tyre të dhëna, pa adresuar pyetje të cilat sqarojnë elemente të denoncuara në publik për integritetin e këtyre kandidatëve.
BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë se në publik ka denoncime serioze për integritetin e kandidatëve, përfshirë kandidatin e përzgjedhur, të cilat do të duhej t’i sqaroheshin komisionit para vendimmarrjes.
Çështjet e ngritura në publik lidhen me vendimmarrjen e tyre në procese hetimore, prejardhjen e pasurisë, lidhjet e tyre me politikanë si dhe shoqërimin me persona e me familjarët e personave të cilët janë subjekte të hetimeve penale ose ishin pjesë e këtyre hetimeve.
BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë që Kryeprokurori i propozuar nga KPK për t’u përzgjedhur do të duhej të sqaronte të paktën situatën e , dhe çështjet e raportuara në publik për mbylljen e hetimeve për tenderin për ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Anëtarët e KPK-së, të vënë në dijeni për këto dy raste, nuk kanë adresuar asnjë pyetje për të sqaruar këto dy situata në të cilat ishte i përfshrië kandidati i përzgjedhur, Zejnullah Gashi. BIRN dhe Internews Kosova janë në dijeni që të paktën njëri nga anëtarët momental të KPK kishte hetuar çështjen e mbylljes së hetimeve nga prokurori Zejnullah Gashi për tenderin e ushqimit të FSK-së.
Një pjesë e rëndësishme e integritetiet të kandidatëve është edhe marrëdhënia e tyre biznesore kontraktuale me shitës dhe blerës të ndryshëm të pronave. BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë që në proceset bazike meritokratike prejardhja e pasurisë dhe kontratat potenciale apo detyrimet ndaj personave me të kaluar të dyshimtë duhet të sqarohen në plotëni dhe detajisht.
BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë se në këtë proces të zhvilluar në KPK kandidatët nuk janë pyetur për pronat e tyre, pasurinë e fituar dhe për prejardhjen e saj.
Për më tepër, BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë që komisioni intervistues nuk pati rol aktiv në sqarimin e situatave në të cilat kandidatët, përfshirë kandidatin e përzgjedhur për Kryeprokuror të Shtetit, ishin parë në shoqëri të personave të hetuar apo familjarëve të tyre në evente publike.
BIRN dhe Internews Kosova vlerësojnë që këto situata të denoncuara në publik do të duhej të sqaroheshin, të paktën në formën deklarative nga kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, e jo të injorohen dhe kalohet nëpër to sikur të mos ekzistonin fare. Analiza ligjore: Pse KPK do të duhej të kishte rol aktiv në vlerësim të integritetit?
Në nivelin e vlerësimit të kandidatëve, integriteti nuk mund të trajtohet si një nocion formal apo thjesht si mungesë pasive e masave disiplinore; ai përbën një parim substancial dhe aktiv të përcaktuar me Ligjin nr. 08/L-249 (neni 2) si “ndershmëri intelektuale, fuqi morale dhe sjellje profesionale, ndjenjë të ndershmërisë, besueshmërisë, sinqeritetit absolut, sjellje me përkushtim në pajtueshmëri me ligjin dhe kodet e përgjithshme të mirësjelljes”.
Kjo kornizë e lartë etiko-ligjore është e sanksionuar në Rregulloren bazë nr. 07/2024 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive (e plotësuar dhe e ndryshuar me Rregulloren nr. 07/2026), ku përcaktohet decidivisht se i gjithë procesi i përzgjedhjes duhet të udhëhiqet nga parimet e meritokracisë, transparencës së hapur dhe objektivitetit (neni 4).
Ky rol monitorues i shoqërisë civile është fuqizuar edhe më tej përmes shtimit të nenit 6A (Monitorimi i procesit) nga Rregullorja nr. 07/2026, i cili obligon Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) të ftojë palët e interesuara për monitorimin e hapur të procesit.
Për ta përkthyer këtë standard në veprime konkrete, neni 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Rregullores kërkon në mënyrë eksplicite që kandidati për këtë pozitë të lartë shtetërore të tregojë dhe të dëshmojë integritet të lartë, kriter ky që poentohet në mënyrë specifike me një peshë vendimtare prej 0 deri në 20 pikë (neni 14, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2).
Rregullat strikte të vlerësimit të hollësishëm vijnë të detajuara në shtojcën F (Udhëzuesi për panelin vlerësues), e cila i obligon anëtarët e panelit që vlerësimin e integritetit ta bazojnë në dy pjesë kryesore: Pjesa 1 (Integriteti organizativ) dhe Pjesa 2 (Vlerat personale dhe sjelljet etike në përputhje me Kodin e Etikës për prokurorë).
Një rregull kritik dhe detyrues normativ i përcaktuar në Shtojcën F, faqe 28, të Rregullores bazë nr. 07/2024 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës dhe nenit 7 të Rregullores nr. 07/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e saj- specifikon se vlerësimi i integritetit nuk mbështetet vetëm në vetëdeklarimet formale të kandidatit.
Përkundrazi, ky Udhëzues i panelit vlerësues (shtojca F) ngarkon anëtarët e panelit me një detyrim aktiv që të njihen me dosjen e përgatitur zyrtarisht nga Sekretariati i KPK (detyrë kjo që i është kaluar Sekretariatit pas shfuqizimit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë (NJSHPP) përmes nenit 2 të Rregullores nr. 07/2026), si dhe me referencat dhe të gjitha burimet e tjera përkatëse, duke përfshirë specifikisht “informacionin për burimin publik, që mund të përmbajë informacione të rëndësishme për vlerësimin e integritetit të një kandidati”.
Sipas kësaj kornize të përditësuar normative, nëse këto burime publike apo dosja administrative sugjerojnë rrethana apo ngjarje të ndjeshme që vënë në dyshim besueshmërinë e kandidatit, Udhëzuesi (shtojca F, fq. 28) përcakton një detyrim të prerë ligjor që Paneli ta diskutojë këtë çështje në mënyrë të hapur me kandidatin gjatë intervistës.
Ky diskutim i detyrueshëm ka për qëllim të vetëm që të vlerësojë nëse kjo rrethanë e shpërfaqur publikisht ndikon në besueshmërinë e kandidatit dhe në “aftësinë e tij për të qenë i sinqertë dhe i besueshëm”.
Ky detyrim normativ ndërlidhet organikisht me nenin 15, paragrafin 2 të Rregullores bazë nr. 07/2024 (dispozitë kjo që mbetet në fuqi të plotë), i cili urdhëron që arsyetimi i poentimit të jetë në përputhje strikte logjike me pikët e dhëna.
Kjo kërkesë e përputhshmërisë logjike konkretizohet në rregullat e arsyetimit në shtojcën F, faqe 23 (Udhëzuesi i panelit vlerësues), ku përcaktohet se është thelbësore që secili anëtar i panelit vlerësues të mbajë shënime të detajuara gjatë vlerësimit të dosjes dhe intervistës, dhe urdhërohet në mënyrë eksplicite se “çdo vlerësim maksimal [siç është vlerësimi maksimal prej 20 pikësh për integritet] ose minimal duhet të shoqërohet me një arsyetim më të elaboruar sesa vlerësimet në mesataren e poenëve, për të qartësuar se pse një kandidat ka ‘merituar’ një vlerësim më të lartë apo më të ulët”.
Mirëpo, ekzistenca e këtyre mekanizmave të lartë ligjorë në letër mbetet e pavlerë nëse zbatimi i tyre praktik shndërrohet në një fasadë formale administrative. Kur standardet e integritetit dhe transparencës shpërfillen vullnetarisht nga vetë organet e thirrura për t’i mbrojtur ato, tërë procesi i përzgjedhjes dëmtohet rëndë dhe e zbeh besimin e publikut në gjithë sistemin e drejtësisë.
Siç do të pasqyrohet në mënyrë të hollësishme në pjesët në vijim të këtij raporti, ballafaqimi i drejtpërdrejtë i normave ligjore me veprimet konkrete të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe panelit vlerësues, qasja e tyre ndaj të dhënave publike e zyrtare mbi kandidatët, si dhe mënyra e arsyetimit të poentimit maksimal përballë performancës reale dhe kontradiktave publike, paralajmërojnë një mospërputhje të thellë logjike dhe procedurale që e kthen vlerësimin substancial të integritetit në një proces të thjeshtë e të zhvleftësuar formaliteti.
Analiza e poentimit dhe arsyetimit të komisionit për kandidatin e propozuar Sipas kushteve ligjeve në fuqi dhe rregulloreve të KPK, integriteti nuk është thjesht një fjalë e bukur apo një kriter formal por është shtylla kryesore që mban besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Ligji Nr. 08/L-249 (neni 2) e përkufizon integritetin personal si : “ndershmëri intelektuale, fuqi morale dhe sjellje profesionale, ndjenjë të ndershmërisë, besueshmërisë, sinqeritetit absolut, sjellje me përkushtim në pajtueshmëri me ligjin dhe kodet e përgjithshme të mirësjelljes “. Kryeprokurori i Shtetit është kreu i ndjekjes penale në Kosovë.
Nëse ky pozicion ka hije dyshimi mbi integritetin dëmtohet i tërë sistemi prokurorial. Kryeprokurori duhet të jetë imun ndaj ndikimeve politike dhe presioneve të jashtme (neni 4 i Ligjit për Prokurorin e Shtetit), dhe integriteti i tij shërben si “mburojë” për prokurorët e tjerë që ata të hetojnë si të pavarur.
Kështu, integriteti në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës përbën një parim themelor kushtetues dhe ligjor, rregullimi i të cilit nuk mund të kufizohet apo të thjeshtohet vetëm në mungesën formale të masave disiplinore në dosjen e një kandidati.
Sipas Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nr. 07/2024 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive, konkretisht në parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenin 4, tërë procesi i përzgjedhjes duhet të bazohet në meritokraci, objektivitet dhe transparencë.
Ky parim i gjerë i integritetit konkretizohet në nenin 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Rregullores, i cili kërkon në mënyrë eksplicite që kandidati për këtë pozitë të lartë shtetërore të tregojë dhe të dëshmojë integritet të lartë.
Kriteri i integritetit poentohet në mënyrë specifike me një peshë të rëndësishme prej 0 deri në 20 pikë, si përcaktohet në nenin 14, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2. Rëndësia e këtij kriteri vjen e detajuar në shtojcën F të Rregullores, e cila shërben si Udhëzues për panelin vlerësues.
Udhëzuesi e ndan vlerësimin e integritetit në dy pjesë kryesore: Pjesa 1- e cila vlerëson aftësinë e kandidatit për të promovuar një kulturë të integritetit organizativ; dhe Pjesa 2- e cila vlerëson demonstrimin e vlerave personale dhe sjelljeve etike në përputhje me Kodin e Etikës për prokurorë.
Sipas udhëzimeve normative të shtojcës F, integriteti kërkon që kandidati të dëshmojë vlera të forta personale si ndershmëria, vërtetësia, besnikëria dhe respekti, duke ndërtuar besim, duke marrë vendime të paanshme, të pavarura dhe vetëmohuese në dobi të sistemit dhe interesit publik.
Një rregull tejet i rëndësishëm dhe detyrues normativ i përcaktuar në shtojcën F (fq. 28) specifikon se vlerësimi i integritetit nuk mbështetet vetëm në vetëdeklarimet e kandidatit, por kërkon që anëtarët e panelit vlerësues të njihen me dosjen, referencat dhe burimet publike që mund të përmbajnë informacione të rëndësishme për vlerësimin e integritetit të një kandidati.
Nëse këto burime publike sugjerojnë rrethana apo ngjarje të ndjeshme që mund të vënë në dyshim besueshmërinë, Udhëzuesi përcakton një detyrim të prerë ligjor që paneli ta diskutojë këtë çështje hapur me kandidatin gjatë intervistës.
Qëllimi i këtij diskutimi është të vlerësohet nëse rrethanat e shpërfaqura publike ndikojnë në besueshmërinë e kandidatit dhe në aftësinë e tij për të qenë i sinqertë dhe i besueshëm para institucionit dhe publikut. Kjo do të thotë se komisioni ka detyrim të mos i anashkalojë apo të mos i kalojë në heshtje denoncimet apo hulumtimet publike që prekin etikën e kandidatit.
Në koncept-dokumentin e tij për udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, kandidati Zejnullah Gashi ka trajtuar integritetin institucional si njërën nga shtyllat kryesore të vizionit të tij.
Ai ka paraparë krijimin e një mekanizmi të veçantë për integritetin institucional, i cili do të merrej me evidentimin e të gjitha rasteve dhe ndërhyrjeve të jashtme apo sulmeve ndaj prokurorëve në nivel të prokurorive themelore. Ky mekanizëm do të analizonte rastet për të siguruar pavarësinë dhe ligjshmërinë e vendimeve të prokurorëve.
Po ashtu, në koncept-dokument ai ka identifikuar si konflikt të interesit ndërhyrjet politike dhe sjelljet që tejkalojnë etikën profesionale si rreziqe kryesore që cenojnë sistemin prokurorial.
Gjatë intervistës së zhvilluar më , kandidatit Zejnullah Gashi iu parashtruan tri pyetje standarde rreth integritetit nga anëtari i panelit, Visar Krasniqi: Pyetja e parë ishte e standardizuar për të gjithë kandidatët: “A ka ndonjë gjë në jetën tuaj personale apo profesionale, qoftë edhe nga e kaluara, apo sipas njohurive tuaja, a është dikush nga familja juaj apo miqtë tuaj që, nëse do të bëhej e njohur për publikun e gjerë, mund t’ju sjellë juve apo sistemin prokurorial në një situatë të mosrespektimit, ose të vërë në dyshim integritetin, autoritetin dhe/apo qëndrimin tuaj si prokuror?”.
Kandidati Zejnullah Gashi u përgjigj duke deklaruar: “E them me përgjegjësi të plotë para komisionit, edhe para të pranishmëve këtu, që asnjëherë në jetën time, as unë, as familja ime, nuk kemi rënë ndesh ku do të cenohej integriteti, jo vetëm personal, por edhe ai institucional. Në asnjë rast nuk kemi pasur…
Ne jemi qenie njerëzore dhe mund edhe të gabojmë, mirëpo fatin e kam pasur që nuk kam pasur ndonjë rast që e vë në dyshim integritetin tim.” Pyetja e dytë kërkoi të identifikoheshin rreziqet kryesore dhe dobësitë e mekanizmave: “Cilat i konsideroni rreziqet kryesore që cenojnë integritetin e sistemit prokurorial në Kosovë dhe cilat sipas jush janë dobësitë aktuale të mekanizmave për parandalimin e kësaj çështjeje dhe adresimin e tyre?”.
Përgjigjja e z. Gashi: “Më falni. Sipas këndvështrimit edhe të paraqitur edhe në koncept-dokumentin tim, konflikti i interesit është i parë që mund të cenojë integritetin, pastaj është ndërhyrjet nga jashtë, ndikimet politike, pastaj janë sjelljet e papranueshme apo që tejkalojnë një situatë të caktuar profesionale. Këto janë disa nga shkaktarët të cilët e cenojnë integritetin profesional.
Integriteti si term nuk është vetëm, nuk është veç individual apo personal, mirëpo gjithmonë duhet të jetë edhe standard institucional të cilët secili prokuror duhet të ketë parasysh ndërsa sa i përket, më duket që kjo pyetja edhe sa i përket dobësisë së mekanizmave të tanishëm, unë mendoj se konsideroj se dobësitë e mekanizmave është mungesa e gjatë e kryeprokurorit në sistemin prokurorial ka qenë një handikep i theksuar për shkak se ajo është ajo mburoja kryesore e të gjithë sistemit të drejtësisë për shkak të kompetencave të tij për ligjshmërinë e vendimeve edhe mbrojtjen e sistemit.
Jo vetëm sa i përket ndërhyrjeve nga jashtë, mirëpo njëkohësisht mbrohen edhe palët, mbrohen edhe pavarësinë në funksionale të prokurorit dhe kjo mungesë, ky mungesë, ky mekanizëm që ka munguar për që katër vite mund me thënë që ka qenë qenë secila prokurori ka vepruar në mënyrën e vet, secila prokurori ka krijuar praktika të ndryshme të cilët kanë ndikuar negativisht në percepcionin apo në besimin e publikut te sistemi prokuror për arsye se një prokurori ka arrestuar në raste të caktuar për shembull të votimeve prokuroria tjetër nuk ka qenë një mekanizëm që këtë është kryeprokurori i shtetit që përmes rekomandimeve, këshillave, menaxhimit dhe koordinimit të gjithë sistemit të ndikojë drejtpërdrejtë që përmes kolegjiumeve pastaj të krijon një praktikë standarte uniforme për gjithë sistemin prokurorial të Kosovës.
” Pyetja e tretë e parashtruar nga Visar Krasniqi: “Ku qëndron dallimi ndërmjet respektimit të ligjit dhe veprimit në përputhje me standardet e integritetit personal dhe mundësisht na jepni një shembull praktik. ” Kandidati Zejnullah Gashi kërkoi përsëritjen e pyetjes duke thënë: “Më falni veç pak… kemi obligim… është obligim ligjor që secili rast… a ka mundësi edhe njëherë pyetja?
Më falni. ” (Përsëritja e pyetjes nga Visar Krasniqi): “ Nga përvoja juaj, çfarë mendoni, ku qëndron dallimi ndërmjet respektimit të ligjit dhe veprimit në përputhje me standardet e integritetit prokurorial? Mundësisht na jepni një shembull praktik.
” Kandidati Zejnullah Gashi u përgjigj: “Sa i përket shkeljeve ligjore apo Kodit të Etikës, ato janë të përcaktuara qartë në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku specifikohen rastet se kur mund të inicohet procedura disiplinore nëse një prokuror apo kryeprokuror bën një shkelje.
Mirëpo, ka raste të tilla të cilat, pavarësisht se nuk janë të përcaktuara me ligj dhe duket se nuk përbëjnë shkelje ligjore as në kuptimin e ligjit e as të Kodit të Etikës, në praktikë kërkojnë që prokurori duhet të rezervohet nga disa veprime të cilat në sytë ose në perceptimin e publikut do të dukeshin joprofesionale, të njëanshme apo joobjektive në trajtimin e një rasti të caktuar .
Si shembull mund të jetë rasti kur në një çështje penale të caktuar, në një seancë gjyqësore, në një anë është prokurori dhe në anën tjetër si avokat mbrojtës i të pandehurit është një shok fëmijërie i prokurorit që mbron palën e pandehur në këtë rast. Në këtë rrethanë, në aspektin e shkeljes ligjore nuk ka asnjë pengesë që ajo procedurë të zhvillohet.
Mirëpo, me qëllim të shmangen dyshimet për njëanshmëri apo joobjektivitet, prokurori duhet të rezervohet dhe gjatë asaj kohe të mos bisedojë apo të mos takohet me avokatin, edhe pse mund të bisedonin për diçka krejtësisht tjetër. Kjo bëhet sepse në sytë e publikut mund të krijohet perceptimi se ai nuk është objektiv në punën e tij.
” Analiza e përgjigjeve Përgjigjja e parë e kandidatit në të cilën ai pohon me përgjegjësi të plotë se asnjëherë në jetën e tij profesionale nuk ka pasur ndonjë rast që vë në dyshim integritetin, si dhe shembulli i tij me të cilin thekson rëndësinë e shmangies së kontakteve joprocedurale për të mbrojtur perceptimin publik, bie në kundërshtim të hapur me fakte të rëndësishme që gjenden në burimet publike.
Më , mediumi Kallxo.com publikoi hulumtimin me titull: “Kryeprokurori i Prishtinës në zyret e Albulena Haxhiut, tentoi t’i arsyetohet për hetimet”. Ky hulumtim zbardh një dosje të Policisë së Kosovës të dërguar në Prokurorinë Speciale (PSRK), ku dokumentohet deklarata e ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e dhënë në Polici më 22 dhe .
Haxhiu kishte përshkruar se në mars ose prill të vitit 2021, ish-kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi, dhe prokurori i rastit (tashmë kryeprokuror i Prishtinës dhe kandidat për Kryeprokuror të Shtetit) Zejnullah Gashi, kishin shkuar vullnetarisht dhe pa asnjë paralajmërim në zyrën e saj të ministres .
Sipas deklaratës së ministres të dhënë në polici, gjatë këtij takimi, Zejnullah Gashi kishte hapur një dosje të cilën e mbante në prehër. Kjo dosje kishte të bënte me hetimet penale aktive që Gashi po zhvillonte ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqit.
Gashi i ishte drejtuar ministres me fjalët: “Ministre dua të sqaroj një situatë… kam dëgjuar thashetheme se Lavdim Krasniqi është duke u ndjekur penalisht për inati të juajin (timin në këtë rast). Por, këtë nuk e kam për inatin tëndin”. Ministrja e kishte ndaluar këtë bisedë menjëherë, duke u shprehur se kjo çështje nuk ishte e saj.
Më vonë, Haxhiu dhe zëvendësministri i saj Sallahu u shqetësuan kur panë në media se pikërisht me kërkesë të prokurorit Gashi, gjykata ia kishte hequr masën e paraburgimit të pandehurit Lavdim Krasniqi, çka çoi në denoncimin zyrtar të kësaj ngjarjeje në Polici. Në aspektin etiko-profesional, ky veprim paraqet një devijim të rëndë nga standardet e integritetit dhe pavarësisë së prokurorit.
Kodi i Etikës për prokurorë ndalon rreptësisht komunikimet joprocedurale dhe diskutimin e dosjeve apo rasteve hetimore aktive me akterë politikë, e aq më tepër shkuarjen në zyrën e një ministri për t’u arsyetuar apo për të sqaruar dosjet.
Vetë fakti që një prokuror shkon te një ministër me dosje për të sqaruar se hetimi i një personi nuk po bëhet “për inat” të saj, thyen çdo ndarje të pushteteve dhe dëmton rëndë perceptimin e pavarësisë së sistemit në sy të publikut.
Kjo ngjarje është pikërisht ajo rrethanë e ndjeshme që mund të sjellë sistemin prokurorial në një situatë të mosrespektimit dhe të vejë në dyshim autoritetin dhe qëndrimin e kandidatit si prokuror, për të cilën u pyet në pyetjen e parë.
Ndonëse PSRK e mbylli rastin në aspektin penal për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm për vepër penale, dimensionet etike dhe të besueshmërisë mbeten të hapura. Gashi dhe sistemi prokurorial nuk ofruan përgjigje konkrete për të sqaruar këtë vizitë joprocedurale.
Mungesa e një procedure disiplinore zyrtare nga KPK apo Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tregon dështim të kontrollit të brendshëm, por nuk e zhbën ekzistencën e këtij fakti publik kontrovers. Këtu shpërfaqet dështimi më i madh ligjor i panelit vlerësues (anëtarët 463 RJK, 668 ZTR dhe 782 VDM).
Sipas shtojcës F (Burimet relevante), paneli kishte detyrim të prerë ligjor ta ngrinte këtë hulumtim publik dhe denoncim policor si pyetje gjatë intervistës për të testuar sinqeritetin, besueshmërinë dhe të vërtetën e kandidatit.
Duke mos e bërë këtë pyetje, duke e kaluar tërësisht në heshtje këtë ngjarje publike, paneli ka shkelur hapur qëllimin e kontrollit të integritetit dhe kërkesën për arsyetim logjik të nenit 15.2 të Rregullores.
Arsyetimi i anëtarit 463 RJK se “ përgjigjet janë të sakta, të qarta dhe të plota ” dhe se “ në dosje nuk evidentohen të dhënat për procedura apo masa ” dëshmon një qasje thjesht formale dhe injorim të hulumtimit publik.
Po ashtu, anëtari 668 ZTR arsyetoi se kandidati “ ka argumentuar integritet të lartë personal dhe profesional… nuk janë evidentuar rrethanat që në çfarëdo mënyre do të cenonin integritetin ” dhe se përgjigjet ishin “ mjaft bindëse “.
Paneli ka dështuar të arsyetojë nëse kandidati ishte i sinqertë kur mohoi me përgjegjësi të plotë çdo rrethanë të tillë, duke e shkelur detyrimin e shtojcës F për të matur nëse kandidati ka aftësinë për të qenë i sinqertë dhe i besueshëm.
BIRN dhe Internews Kosova gjejnë se brenda sistemit prokurorial me numrin e referencës PPN.I nr.199/22 ishte regjistruar një lëndë penale e iniciuar nga ish-shefi i ‘task forcës’ kundër korrupsionit, Shemsi Haziri, ndaj prokurorit të çështjes hetimore kundër operatorit “Beni Dona” me pretendimin se prokurori i këtij rasti, Zejnullah Gashi, mund të ishte në konflikt interesi.
Raporti është mbyllur nga Prokuroria e Ferizajt më me arsyetimin se prokurori Gashi nuk kishte banesë në kompleksin e ndërtuar nga “Beni Dona”, por, ai ishte qiraxhi në këtë kompleks në një banesë të djalit të tezës së tij. Kjo çështje e regjistruar brenda sistemit do të duhej të ishte po ashtu pjesë e pyetjeve gjatë adresimeve për integritetin.
Gjithashtu, zotimi i Gashit në koncept-dokument për luftimin e ndërhyrjeve politike dhe mbrojtjen e integritetit institucional bie ndesh me deklaratën e tij në intervistë, kur ai u shpreh se duhet të shmangen masat disiplinore në mënyrë që prokurorët të mos dekurajohen.
Një qasje e tillë mbrojtëse dhe toleruese ndaj shkeljeve të mundshme të etikës bën që premtimi i tij për të ndërtuar një mekanizëm të fortë të integritetit të duket i paqëndrueshëm dhe joreal.
Ky poentim maksimal prej 20/20 i dhënë në heshtje ndaj këtij skandali publik dëmton rëndë ligjshmërinë dhe besimin e publikut në gjithë procesin e përzgjedhjes së pozitës më të lartë të ndjekjes penale në vend.
Koncept-dokumenti i Zejnullah Gashit lidhur me integritetin Në koncept-dokumentin e tij (shtojca C), kandidati Zejnullah Gashi ka përdorur një gjuhë kryesisht akademike dhe deklarative për të përshkruar integritetin: Zotimet në letër: Ai deklaron se institucioni ka nevojë për udhëheqje me integritet të lartë.
Premton ndërtimin e një “mburoje institucionale” ndaj presioneve politike dhe mediatike, duke thënë se çdo ndërhyrje e papërshtatshme duhet të refuzohet dhe të dokumentohet.
Mekanizmat e propozuar: Ai propozon krijimin e një “Barometri institucional të Integritetit dhe Performancës” dhe një mekanizëm të brendshëm analitik për të identifikuar rreziqet sistematike (si vonesat apo komunikimet e papërshtatshme).
Shembujt e karrierës: Si dëshmi të integritetit të tij, ai përmend përvojën 26-vjeçare, periudhën si hetues, ku thotë se ka ngritur kallëzime ndaj zyrtarëve të lartë (përfshirë gjyqtarë në Prizren), si dhe sukseset si Kryeprokuror në Prishtinë (rastet “Albkings”, vrasja e Liridona Ademajt, etj.). Çka kërkohet saktësisht sipas Rregullores 07/2024?
Udhëzuesi për panelin vlerësues (shtojca F) dhe Rregullorja Nr. 07/2024 (e ndryshuar me Rregulloren 07/2026) përcaktojnë saktësisht se si duhet të vlerësohet integriteti. Kjo pjesë bart 20 pikë maksimale. Rregullorja kërkon që paneli të mos bazohet vetëm në deklaratat e kandidatit, por të bëjë një vlerësim aktiv.
Në citimin tekstual nga Udhëzuesi (shtojca F, fq. 28): “Anëtarët e panelit duhet të njihen me dosjen e kandidatit… përfshirë informacionin për burimin publik që mund të përmbajë informacione të rëndësishme për vlerësimin e integritetit të një kandidati.” Po ashtu, Udhëzuesi urdhëron që të gjithë kandidatëve t’u parashtrohet kjo pyetje standarde: “A ka ndonjë gjë në jetën tuaj personale apo profesionale, qoftë edhe nga e kaluara, apo, sipas njohurive tuaja, a është dikush nga familja apo miqtë tuaj, që, nëse do të bëhej e njohur për publikun e gjerë, mund t’u sjellë ju apo sistemin prokurorial në një situatë të mosrespektimit, ose të vërë në dyshim integritetin, autoritetin apo qëndrimin tuaj si prokuror?” Rregulli kritik që u shkel: Udhëzuesi thotë tekstualisht: “Nëse kandidati përgjigjet “Jo”, por në dosjen e tij ka informacione që dëshmojnë ose sugjerojnë të kundërtën [përfshirë informacione publike], kjo çështje duhet të diskutohet me kandidatin.” Analiza e intervistës dhe vlerësimi i panelit Nëse krahasojmë intervistën me fletë-poentimet shihet qartë një mospërputhje totale dhe një sipërfaqësi tronditëse nga anëtarët e komisionit.
Të tre anëtarët (463 RJK, 668 ZTR, 782 VDM) i kanë dhënë Zejnullah Gashit 20 pikë maksimale (100%) për integritet. Le t’i analizojmë arsyetimet e tyre përballë asaj që ndodhi në intervistë: Pyetja e parë standarde dhe heshtja e komisionit Kur Visar Krasniqi ia parashtron pyetjen standarde (nëse ka diçka nga e kaluara apo jeta profesionale që mund t’ia cenojë integritetin në publik), Zejnullah Gashi përgjigjet shkurt: “E them me përgjegjësi të plotë para komisionit… nuk kam pas ndonjë rast që e vë në dyshimin integritetin tim.
” Dështimi i komisionit: Edhe pse rregullorja (shtojca F) i obligon anëtarët që të ngrisin çështje nga “burimet publike” nëse ato ekzistojnë, askush nga paneli nuk bëri asnjë pyetje sqaruese. Ata e morën përgjigjen e kandidatit “Jo” si të mirëqenë.
Pyetja e tretë: Dallimi mes ligjit dhe integritetit Visar Krasniqi e pyet kandidatin se ku qëndron dallimi ndërmjet respektimit të ligjit dhe standardeve të integritetit, duke i kërkuar një shembull praktik.
Përgjigjja e Gashit ishte tejet e thjeshtësuar: ai dha shembullin e një prokurori që në sallë të gjyqit ka përballë një avokat që e ka shok fëmijërie, dhe thotë se prokurori nuk duhet të flasë me të në sytë e publikut që të mos duket i njëanshëm.
Ky është një shembull banal i etikës sipërfaqësore, jo një analizë e thellë e “sinqeritetit absolut” dhe “forcës morale” që kërkon ligji për postin e Kryeprokurorit të Shtetit. Analiza e poentimit të anëtarëve të panelit Anëtari 463 RJK (20 pikë): Arsyeton duke thënë: “ Kandidati deklaron se nuk ka ndonjë gjë në jetën e tij që e vë në dyshim integritetin…
Në dosje të kandidatit nuk evidentohen të dhënat për procedura ose masa disiplinore… “. Ky anëtar thjesht ka kopjuar deklaratën e kandidatit (“Kandidati deklaron…”).
Të thuash se dikush ka integritet maksimal vetëm sepse ai vetë thotë ashtu ose sepse nuk ka masa disiplinore aktuale pa pasur një mekanizëm vlerësues mbi vërtetësinë është problematike, sidomos kur poentimi është me nivelin maksimal. Anëtari 668 ZTR (20 pikë): Arsyeton se kandidati “ ka argumentuar integritet të lartë… Ka demonstruar mjaftueshëm se nuk ka asnjë pengesë ligjore… “.
Sërish ngatërrohet “mungesa e pengesave ligjore” me “integritetin e lartë”. Rregullorja kërkon vlerësim të hollësishëm, por ky anëtar nuk përmend asnjë argument apo shembull të vetëm se si e paska “demonstruar” kandidati këtë integritet gjatë intervistës.
Anëtari 782 VDM (20 pikë): Arsyetim ekstremisht i shkurtër: “ Kandidati nuk ka sanksione disiplinore të cilat mund të dëmtojnë integritetin e tij. Në pyetjet e parashtruara jep përgjigje të plota… “.
Udhëzuesi (shtojca F, fq. 23) thotë shprehimisht se çdo vlerësim maksimal (siç është 20/20) duhet të shoqërohet me një arsyetim më të elaboruar për të qartësuar pse kandidati e ka merituar atë. Ky anëtar ka dhënë një fjali e gjysmë, duke shkelur direkt parimin e arsyetimit logjik të rregullores.
Heshtja e anëtarëve të komisionit përballë të dhënave publike Sipas Udhëzuesit zyrtar të miratuar nga vetë KPK-ja (shtojca F, fq. 28), paneli vlerësues ka pasur për obligim që të hulumtonte këto informata publike para intervistës dhe t’ia ballafaqonte ato kandidatit gjatë intervistës për të parë reagimin, sinqeritetin dhe aftësinë e tij për të sqaruar dyshimet.
Kjo detyrë e anëtarëve të Panelit nuk ishte thjesht një supozim teorik. Anëtarët e këtij paneli ishin të informuar zyrtarisht në detaje për këtë rast shumë kohë përpara se të zhvillohej ndonjë trajnim përgatitor apo intervistat e kandidatëve.
Konkretisht, më , në ora , Zyra Ligjore e KALLXO.com, përmes BIRN, u ka dërguar një e-mail zyrtar me titull “Informacion lidhur me dyshime për shkelje disiplinore nga prokurorët Zejnullah Gashi, Kujtim Munishi dhe Jetish Maloku” anëtarëve të panelit vlerësues, duke përfshirë kryesuesin e panelit, Arian Gashi ( [email protected] ), dhe anëtarin Visar Krasniqi ( [email protected] ), si dhe vetë Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ky njoftim zyrtar, i dërguar plot 34 ditë para intervistës së , u është dorëzuar anëtarëve shumë përpara se të zhvillohej ndonjë trajnim përgatitor apo të hartoheshin pyetjet standarde.
Rrjedhimisht, secili anëtar i panelit ka pasur njohuri të plotë zyrtare dhe të gjitha detajet e hulumtimit mbi vizitën joprocedurale të Gashit në zyrat e ministres së Drejtësisë me dosjen penale të Lavdim Krasniqit. Çfarë bëri komisioni? Nga përmbajtja shihet se komisioni ka heshtur plotësisht.
Nuk u ngrit asnjë çështje, nuk u bë asnjë pyetje rreth gjetjeve të hulumtimit të KALLXO.com apo njoftimit të mësipërm zyrtar. Ky qëndrim pasiv i panelit tregon se: Përkundër obligimeve që derivojnë nga udhëzuesi, paneli ka vendosur që qëllimisht të injorojë këto informata për të mos e vënë kandidatin në pozitë të vështirë, gjë që dëmton rëndë paanshmërinë e procesit.
Duke heshtur dhe duke i dhënë 20 pikë maksimale pa asnjë diskutim apo sqarim të këtyre informacioneve publike dhe zyrtare, paneli ka dorëzuar një vlerësim formal, sipërfaqësor dhe të paarsyetuar ligjërisht, duke shkelur parimin e përputhshmërisë logjike të përcaktuar në nenin 15, paragrafi 2 të Rregullores nr. 07/2024.
Përmbledhje dhe konkluzioni i analizës Kjo situatë ekspozon në mënyrë të pakontestueshme se kërkesat e Rregullores bazë nr. 07/2024 (të ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren nr. 07/2026) dhe të shtojcës F (Udhëzuesi i panelit vlerësues) – e cila sipas nenit 7 të Rregullores së re nr. 07/2026 përbën pjesë tërësisht integrale dhe të detyrueshme të kornizës normative – nuk janë përmbushur në substancë.
Ky dështim shpërfaqet në disa nivele: Së pari, kandidati Zejnullah Gashi ka dështuar të ofrojë një zbërthim substancial të integritetit moral dhe personal, duke dhënë përgjigje të përgjithshme dhe formale që bien ndesh me kërkesat e Rregullores bazë nr. 07/2024 (e ndryshuar me 07/2026) dhe të shtojcës F: në vend të analizës aktive të vërtetësisë, ai u mjaftua me një mohim të thjeshtë pasiv të rreziqeve personale; i trajtoi rreziqet organizative teorikisht pa propozuar sisteme konkrete të llogaridhënies; si dhe përdori një shembull tejet të thjeshtësuar të mirësjelljes profesionale (shmangia e bisedave me shokun avokat), i cili nuk dëshmon ndershmëri intelektuale dhe forcë morale në situata komplekse.
Së dyti, paneli vlerësues ka shkelur hapur udhëzimet normative të shtojcës F duke mos e ballafaquar kandidatin me informacionet publike (hulumtimin e KALLXO.com të datës ) dhe me njoftimin zyrtar që u ishte dërguar më , plot 34 ditë para intervistës.
Ky njoftim me shkrim i vuri anëtarët e panelit vlerësues në dijeni zyrtare për vizitën joprocedurale të Gashit në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë me dosjen e Lavdim Krasniqit.
Duke heshtur plotësisht gjatë intervistës paneli dështoi të zbatonte procedurën e detyrueshme për verifikimin e besueshmërisë, sinqeritetit dhe vërtetësisë së kandidatit përballë këtyre rrethanave të ndjeshme publike. Së treti, paneli vlerësues ka dështuar plotësisht të përmbushë kërkesat minimale të arsyetimit të përcaktuara në shtojcën F.
Udhëzuesi obligon në mënyrë të prerë që çdo vlerësim maksimal (siç është dhënia e 20 pikëve të plota nga të tre anëtarët 463 RJK, 668 ZTR dhe 782 VDM) të shoqërohet me një arsyetim shumë më të elaboruar dhe të detajuar për të qartësuar se pse kandidati e ka “merituar” atë.
Në vend të kësaj, fletë-poentimet e anëtarëve përmbajnë vetëm arsyetime shabllon, formale dhe të shkurtra prej 2-3 fjalish. Këto vlerësime bazohen thjesht në faktin pasiv se “kandidati nuk ka dënime disiplinore aktuale në dosje”.
Ky arsyetim dështon të shpjegojë logjikisht performancën reale të kandidatit në intervistë dhe shkel parimin bazë të nenit 15, paragrafi 2 të Rregullores bazë nr. 07/2024, i cili kërkon që arsyetimi të jetë në përputhje logjike me poentimin. Rëndësia e këtij dështimi bëhet edhe më kritike kur vlerësohet nën dritën e reformave të instaluara nga Rregullorja e re nr. 07/2026.
Ndonëse Rregullorja nr. 07/2026 riorganizoi panelin vlerësues duke e reduktuar numrin e anëtarëve në tre (3) veta (neni 5 i Rregullores nr. 07/2026, duke ndryshuar neni 12 të Rregullores bazë) dhe kaloi përgatitjen e dosjeve administrative te Sekretariati i KPK-së (neni 2 i Rregullores nr. 07/2026, duke fshirë referencat për NJSHPP-në në nenin 3 dhe 11), parimet themelore të meritokracisë, transparencës së hapur dhe detyrimit të arsyetimit logjik të poentimit (neni 15.2 i Rregullores bazë 07/2024) mbeten të pandryshuara dhe plotësisht në fuqi.
Rrjedhimisht, dhënia e poentimit maksimal prej 20/20 në rrethanat e një heshtjeje totale ndaj të dhënave publike të pasqyruara, pa asnjë pyetje ballafaquese dhe pa asnjë arsyetim të elaboruar ligjor, e kthen vlerësimin e integritetit në një proces të pastër formal dhe subjektiv, duke dëmtuar rëndë ligjshmërinë, meritokracinë dhe besimin e publikut në tërë procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Mbi faktet e renditura më sipër, BIRN dhe Internews Kosova konstatojnë se procesi nuk i përmbushi standardet më të larta të një rekrutimi dhe përzgjedhjeje meritokratike dhe transparente.
