Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi vjen pasi Paunoviq, e njohur për qëndrimet e saj kundër Kosovës, deklaroi se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.
“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës” – ka shkruar Sveçla.
Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale. Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, nuk ka parapëlqyer të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e ministres serbe.
Megjithatë, në mënyrë të përgjithësuar ajo ka deklaruar se në Europë nuk ka vend për një retorikë që arsyeton apo bën thirrje për spastrim etnik. Hipper tha se deklarata të tilla ndeshen me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Megjithatë, ajo nuk paralajmëroi ndonjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, por vetëm përsëriti se nuk ka vend për një retorikë të tillë. Paunoviq ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastronte etnikisht Kosovën. “Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën.
Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”- ka thënë ajo gjatë një në televizionin serb “Kurir”.
Deklaratës së saj i është kundëpërgjigjur ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës i Kosovës, Andin Hoti, duke thënë se kjo tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.
Kurse, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviqit rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli – teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
