Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Në reagimin e saj, PSG e cilësoi deklaratën si gjuhë të urrejtjes dhe një mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike. Sipas kësaj partie, një zyrtare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion në Qeverinë e Serbisë.
PSG vlerëson se deklarata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, institucion që duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
Partia opozitare ngriti po ashtu çështjen e përgjegjësisë së mundshme penale të ministres, duke iu referuar nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës mbi baza kombëtare, racore apo fetare. PSG kërkoi nga prokuroria kompetente të shqyrtojë nëse deklaratat e Paunoviq përmbajnë elemente të kësaj vepre penale.
Snezhana Paunoviq është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992, ndërsa nga viti 2024 mban postin e nënkryetares së kësaj partie. Ajo është deputete që nga viti 2013 dhe në dy mandate ka ushtruar detyrën e nënkryetares së Kuvendit të Serbisë. Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se çdo tentativë për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin përfundim. Ai ka theksuar se përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike është e njohur.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë… Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën.
Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga, siç e quan ai, “ideologjia gjenocidale e Millosheviqit” dhe nga politika që solli luftëra, masakra dhe “turp historik”. “Sot Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe.
Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, k a deklaruar Hoti. Reagim pati edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili theksoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.
Sipas IKKL-së, krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 janë trajtuar në procese gjyqësore ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit janë shpallur fajtorë. Instituti vlerëson se përballja me të kaluarën, pranimi i krimeve dhe kërkimfalja institucionale mbeten parakushte për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
