Ministrja kërkon “spastrimin” e Kosovës, Vuçiq hesht – po Edi Rama,

0%

Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, se po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, nuk është vetëm një skandal politik. Ajo është një thirrje e hapur për zhdukjen e shqiptarëve nga vendi i tyre dhe një rikthim i drejtpërdrejtë te ideologjia që prodhoi luftë, masakra, dëbime dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Kur një deklaratë e tillë vjen nga një ministre e Qeverisë së Serbisë, ajo nuk mund të trajtohet si mendim privat apo si një gafë e rastësishme. Snezhana Paunoviq është pjesë e pushtetit shtetëror serb. Fjalët e saj marrin peshë institucionale, veçanërisht kur presidenti Aleksandar Vuçiq dhe drejtuesit e tjerë të shtetit serb nuk distancohen prej tyre.

Heshtja e Vuçiqit është po aq domethënëse sa deklarata e ministres. Presidenti serb, i cili zakonisht reagon për çdo zhvillim që lidhet me Kosovën, deri tani nuk ka gjetur asnjë fjalë për të dënuar një ministre të qeverisë së vendit të tij që shprehu keqardhje pse Kosova nuk ishte spastruar etnikisht. Pse hesht Vuçiq? A nuk është heshtja e tij një formë miratimi politik?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

A nuk dëshmon ajo se retorika e viteve të Millosheviqit vazhdon të tolerohet brenda strukturave më të larta të shtetit serb? Për deklaratën kanë reaguar përfaqësues të Kosovës, opozita në Serbi dhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka theksuar se në Evropë nuk ka vend për mbrojtjen apo promovimin e spastrimit etnik.

Edhe në Shqipëri ka pasur reagim institucional nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Por kryeministri Edi Rama, deri tani, ka heshtur personalisht. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë për shkak të marrëdhënies që Rama ka ndërtuar ndër vite me Aleksandar Vuçiqin.

Kryeministri shqiptar e ka trajtuar presidentin serb si mik të afërt, madje duke përdorur ndaj tij edhe gjuhën e “vëllazërisë”, ndërkohë që Vuçiqi nuk e njeh Kosovën, nuk distancohet nga trashëgimia politike që solli luftën dhe tani hesht përballë një deklarate që kërkon zhdukjen e shqiptarëve.

Nëse Rama e konsideron Vuçiqin mik apo “vëlla”, pikërisht tani është momenti t’i flasë publikisht. Duhet ta pyesë: A pajtohet presidenti i Serbisë me ministren e tij? A mendon edhe ai se shqiptarët duhej të ishin dëbuar nga Kosova? Përse ministrja vazhdon të jetë në detyrë? Përse qeveria serbe nuk e shkarkon dhe nuk kërkon falje?

Miqësia nuk mund të përdoret vetëm për fotografi, samite dhe deklarata për “Ballkanin e Hapur”. Ajo duhet të provohet kur përballesh me gjuhën e urrejtjes, me kërcënimet dhe me relativizimin e krimeve ndaj një populli të tërë.

Edi Rama nuk mund të paraqitet si përfaqësues i interesave shqiptare dhe njëkohësisht të heshtë kur një ministre e Beogradit thotë se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Ai nuk mund të jetë më i kujdesshëm ndaj ndjenjave politike të Vuçiqit sesa ndaj kujtimit të mijëra shqiptarëve të vrarë, të zhdukur, të dhunuar dhe të dëbuar nga forcat serbe.

Kjo nuk është çështje e përplasjeve partiake në Kosovë apo Shqipëri. Nuk është as çështje e raporteve personale ndërmjet politikanëve. Është çështje e dinjitetit kombëtar, e së vërtetës historike dhe e sigurisë së shqiptarëve. Heshtja e Vuçiqit tregon shumë për Serbinë e sotme.

Por edhe heshtja personale e Edi Ramës tregon se deri ku mund të shkojë kujdesi i tij për të mos e zemëruar njeriun që e ka quajtur mik dhe “vëlla”. Kur një ministre serbe shpreh keqardhje pse shqiptarët nuk janë zhdukur nga Kosova, nuk mjaftojnë deklaratat e përgjithshme diplomatike. Kërkohet një qëndrim i qartë, me emër dhe mbiemër.

Edi Rama duhet t’i drejtohet publikisht Aleksandar Vuçiqit dhe t’i kërkojë shkarkimin e ministres. Përndryshe, “vëllazëria” me Vuçiqin do të tingëllojë edhe më e rëndë përballë heshtjes ndaj një thirrjeje për spastrim etnik të shqiptarëve.

Burimi: Bota Sot