Shpërndaje në: Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje presidentes në detyrë, Albulena Haxhiut, që pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka filluar afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. KDI vlerëson se afati tridhjetëditor përbën afatin maksimal kushtetues për përfundimin e këtij procesi dhe nuk duhet të shndërrohet në periudhë pritjeje, pasigurie dhe mungesë të funksionimit të Kuvendit.
“Edhe pse afati kushtetues ende nuk ka përfunduar Presidentja në detyrë, ka përgjegjësi institucionale që të shmangë çdo vonesë të panevojshme dhe të sigurojë që procesi i konstituimit të Kuvendit të fillojë në kohë dhe në përputhje me interesin publik.
Veçanërisht pas një periudhe të zgjatur të funksionimit me institucione në detyrë, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë, të afta për të ushtruar përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve”, thuhet mes tjerash në thirrjen e KDI-së.
