Interi vazhdon kërkimet për zëvendësuesin e Denzel Dumfries, ndërsa sipas mediave italiane, në listën e objektivave të klubit zikaltër ndodhen Djed Spence i Tottenhamit dhe Nahuel Molina i Atletico Madridit. Ndërkohë, Strasbourgu kërkon mbi 35 milionë euro për Guela Doué. Interi ende nuk ka gjetur pasuesin e Dumfries, i cili këtë verë u transferua te Real Madridi për 20 milionë euro.
Klubi zikaltër kishte arritur marrëveshje me Atalantan për Marco Palestran, por mbrojtësi italian në fund vendosi t’i bashkohej Chelseat. Edhe transferimi i Anan Khalailit ishte pothuajse i mbyllur, por reprezentuesi i Izraelit nuk i kaloi kontrollet mjekësore, gjë që u konfirmua të hënën nga presidenti i Interit, Beppe Marotta.
Për këtë arsye, Interi është detyruar ta nisë nga e para kërkimin për një mbrojtës të djathtë. Guela Doué u konsiderua një nga objektivat kryesorë pas dështimit të marrëveshjeve për Palestran dhe Khalailin, por sipas “Gazzetta dello Sport” dhe “Corriere dello Sport”, Strasbourgu kërkon më shumë se 35 milionë euro për kartonin e tij.
Nahuel Molina mbetet prej kohësh një objektiv i Interit, ndërsa në listë është futur edhe Djed Spence i Tottenhamit. Një tjetër emër nga futbolli anglez është Brooke Norton-Cuffy i Genoas, i cili sipas “Sportmediaset” dhe “Corriere dello Sport” po monitorohet nga drejtuesit zikaltër.
Sipas “Tuttosport”, lista e kandidatëve për të zëvendësuar Dumfries përfshin gjithashtu Rafik Belghalin e Veronës, i vlerësuar rreth 15 milionë euro, Vandersonin e Monacos, Givairo Read të Feyenoordit, si dhe Dan Ndoye, ish-anësorin e Bolognas, për të cilin Nottingham Foresti kërkon rreth 40 milionë euro.
