Fanella e kaltër e legjendës: si u krijua rastësisht uniforma me të cilën Maradona shkroi historinë ndaj Anglisë Ka fanella që identifikojnë një kombëtare. Ka të tjera që shndërrohen në relike të historisë së sportit.
Fanella e kaltër e Argjentinës në Botërorin “Meksikë 1986” i përket kategorisë së dytë: një uniformë e improvizuar që u lidh përgjithmonë me “Dorën e Zotit”, “Golin e Shekullit” dhe paraqitjen më ikonike të Diego Armando Maradonës. Më , në stadiumin “Azteca”, Argjentina mposhti Anglinë me rezultat 2:1 në çerekfinalen e Kupës së Botës.
Maradona realizoi dy golat më të famshëm të karrierës së tij: fillimisht golin e diskutueshëm me dorë, e më pas një kryevepër duke nisur nga gjysma e fushës, e cila konsiderohet ende si një nga golat më të bukur në historinë e Botërorëve. Ajo ndeshje u zhvillua me një fanellë blu, e cila, në mënyrë të pabesueshme, nuk ishte gati vetëm pak ditë para takimit.
“Carlos Salvador Bilardo ishte i njohur për obsesionin ndaj detajeve. Në Meksikë ai nuk mendonte vetëm për kundërshtarin, taktikën apo formacionin, por analizonte edhe vapën, lagështinë, oraret e ndeshjeve dhe lartësinë e qytetit të Meksikos, mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit.
Për këtë arsye, para Botërorit ai i kërkoi kompanisë franceze “Le Coq Sportif”, që furnizonte Argjentinën me pajisje sportive, të prodhonte fanella më të lehta dhe me ajrosje më të mirë. Kërkesa u plotësua vetëm për fanellën kryesore bardhekaltër.
Problemi ishte fanella rezervë blu, e cila ishte prej pambuku, më e rëndë dhe shumë më pak e përshtatshme për të luajtur në vapën meksikane”, ka shkruar media argjentinase “Canal 26”. “Argjentina e kishte përdorur atë ndaj Uruguait në fazën e 1/8 së finales dhe futbollistët ishin ankuar për peshën e saj, e cila rritej edhe më shumë nga djersa, lagështia dhe shiu.
Bilardo e kuptoi se përsëritja e së njëjtës situatë ndaj Anglisë mund të ndikonte negativisht në paraqitjen e ekipit. Situata u bë edhe më urgjente kur u vendos se Argjentina duhej të luante me fanellën rezervë për shkak të ngjashmërisë së ngjyrave me uniformën e bardhë të Anglisë.
Bardhekaltrit nuk mund të dilnin në fushë me fanellën tradicionale dhe duhej patjetër të luanin me të kaltër, por fanella zyrtare nuk e bindte aspak stafin teknik. Pak ditë para ndeshjes nuk kishte më kohë për të prodhuar një komplet të ri. Atëherë ndodhi një histori që sot duket si e shkruar nga fati.
Delegacioni argjentinas doli nëpër dyqanet sportive të qytetit të Meksikos në kërkim të fanellave blu më të lehta. Rubén Moschella, pjesëtar i Federatës Argjentinase të Futbollit, gjeti disa modele që mund të shërbenin si zgjidhje emergjente. Ato nuk ishin fanella zyrtare të kombëtares, ndaj u desh të përshtateshin.
Stemat e Federatës Argjentinase u qepën me dorë, ndërsa numrat ngjyrë argjendi u morën nga pajisjet që përdoren zakonisht në futbollin amerikan, sepse vetëm ato ishin të disponueshme në numër të mjaftueshëm. Në total u përgatitën rreth 38 fanella, mjaftueshëm që Argjentina të mund të zbriste në fushë.
Rezultati ishte një fanellë e pazakontë, artizanale dhe krejt ndryshe nga modelet tradicionale. Nuk ishte produkt i një fushate marketingu apo i një prezantimi të madh. Ishte thjesht një zgjidhje e improvizuar, e lindur nga nevoja, por që me kalimin e kohës u shndërrua në një nga simbolet më të mëdha të sportit argjentinas.
Sipas versionit më të njohur të kësaj historie, Bilardo ende kishte dyshime se cilën fanellë të zgjidhte. Pikërisht atëherë ndërhyri Diego Maradona. Ai mori në dorë njërën prej fanellave të kaltër, e pa me kujdes dhe tha: “Me këtë fanellë do t’i mundim anglezët”! Vetëm pak orë më vonë, ajo fjali u shndërrua në legjendë.
Me atë fanellë të kaltër, Maradona zhvilloi një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit. Në minutën e 51-të realizoi golin e njohur si “Dora e Zotit”. Katër minuta më vonë nisi një aksion nga gjysma e fushës, dribloi disa kundërshtarë dhe mposhti portierin Peter Shilton, duke shënuar “Golin e Shekullit”. Argjentina fitoi 2:1 dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale.
Vlera e asaj fanelle nuk lindi nga dizajni, por nga ajo që ndodhi me të veshur. Ishte një uniformë e improvizuar, por u bë simbol i identitetit, krenarisë kombëtare, hakmarrjes sportive dhe madhështisë futbollistike.
Fanella blu e vitit 1986 përmbledh një pjesë thelbësore të historisë së Argjentinës: kreativitet përballë vështirësive, karakter në momentet më të rëndësishme dhe aftësinë për ta kthyer një problem në një histori të pavdekshme. Nuk ishte fanella që ëndërronte Bilardo. Nuk ishte më modernja dhe as më e përgatitura.
Por ishte fanella që shoqëroi Diego Armando Maradonën në pasditen më ikonike të karrierës së tij. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi që e bëri të pavdekshme: Argjentina mbërriti në atë ndeshje pa një fanellë të përshtatshme, por doli prej saj me një legjendë”, k a shkruar media argjentinase.
