​Deklarata e ministres serbe shihet si vazhdim i politikës

0%

Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, shkaktoi reagime të shumta.

Profesori universitar, Arben Fetoshi vlerësoi se kjo është një deklaratë që konfirmon vazhdimin e politikës së hegjemonisë së Serbisë ndaj Kosovës.

“Kjo është deklaratë, e cila e konfirmon vazhdimin e politikës së hegjemonisë së Serbisë karshi Kosovës dhe është pjesë e komunikimit strategjik që ka për qëllim jo vetëm rehabilitimin e Sllobodan Millosheviqit, por edhe revizionimin e historisë për luftërat në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke përdorur në mënyrë perfide strategjinë e mohimit në radhë të parë, dhe narrativën e viktimizimit të përhershëm serb, si strategji që, në të cilën funksionon arkitektura e propagandës serbe” , tha Fetoshi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fetoshi mendon se Kosova duhet të komunikojnë në mënyrë strategjike me partnerët ndërkombëtarë që të dokumentohet kërcënimi që paraqet propaganda serbe. “Kosova i ka të gjitha kapacitetet që t’i përgjigjet kësaj tendence, t’i përgjigjet politikës shoviniste të Serbisë.

Por, përtej Kosovës, duhet të kemi parasysh që e vërteta konsiston në një numër të madh të vendimeve gjyqësore të drejtësisë ndërkombëtare.

Nëse i referohemi akuzave ndaj Millosheviqit e deri tek zyrtarët e tjerë të shtetit serb të dënuar në Tribunalin e Hagës për krimet në Kosovë; nëse i referohemi vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjithashtu, e cila e konfirmon gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë dhe në anën tjetër, natyrisht që përgjigja strategjike e Kosovës ndërlidhet me veprimet e mbledhjes së fakteve dhe dokumentimit të krimeve të Serbisë nga ana e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në nivelin juridik dhe nga ana e institucioneve të shtetit, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe rolin e ambasadave, që jo të kthehen ose të merren me deklaratën në kuptimin e një polemike me një përfaqësues të qeverisë serbe, por të komunikojnë në mënyrë strategjike me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të dokumentohet kërcënimi që paraqet propaganda serbe, përkatësisht komunikimi strategjik i Serbisë, i cili, përtej nivelit të mobilizimit nacionalist në Serbi, gjithashtu është provokues”, tha ai.

Ndërsa, profesori tjetër universitar, Dorajet Imeri, tha se zbardhja e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet me një shkallë të jashtëzakonshme të profesionalizmit. “Ka fakte të bollshme që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, mirëpo kjo duhet të trajtohet me një shkallë të jashtë zakonshme të profesionalizmit, në mënyrë sistemike për të arritur deri tek ky objektiv.

Sepse me kë të zbardhet e vërteta historike dëshmohet fakti që Serbia ka kryer gjenocid dhe i hap perspektivë popullit tonë për një të ardhme tjetër”, tha Imeri. Ai e sheh deklaratën e ministres serbe si dëshmi të qartë se spastrimi etnik është përpjekje e pjesës më të madhe të politikës serbe.

“Deklarata e përdorur së fundmi nga ministrja e Qeverisë së Serbisë është dëshmi e qartë se spastrimi etnik dhe gjenocidi nuk janë vetëm përpjekje ose vendim i një individi ose Qeverie, por e pjesës më të madhe të politikës serbe që kaq vite pas përfundimit të luftës vazhdon me narrativën e vjetër që Serbia duhet të spastrohet etnikisht.

Kjo është kundër vlerave perëndimore dhe kundër përpjekjeve serioze të Bashkimit Evropian për paqe dhe stabilitet”, shtoi Imeri. Bashkimi Evropian ka dënuar të martën deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në konferencën për media, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik. “Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon” , tha ajo.

Burimi: Bota Sot