Ruben Amorim nuk po humbet kohë dhe po kthen sërish vëmendjen nga Manchester United, teksa ka nisur projektin e tij të rindërtimit te AC Milan. Trajneri portugez raportohet se ka identifikuar Noussair Mazraouin si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e mbrojtjes së kuqezinjve në Serie A.
Mbrojtësi maroken është futbollisti i katërt i Manchester Unitedit që ka përfunduar në listën e dëshirave të Amorimit, pas Manuel Ugarte, Mason Mount dhe Amad Diallo.
Amorim kërkon Mazraouin Trajneri portugez, i cili muajin e kaluar u emërua në krye të Milanit si zëvendësues i Massimiliano Allegrit, synon ta përforcojë skuadrën duke tentuar të marrë disa nga ish-lojtarët e tij në “Old Trafford”. Sipas raportimeve në Itali, Amorim e ka informuar drejtuesit e Milanit për vlerësimin e lartë që ka për Mazraouin.
Reprezentuesi i Marokut ka regjistruar 77 paraqitje për Manchester Unitedin që prej transferimit të tij nga Bayern Munich për 17 milionë funte në vitin 2024. Fleksibiliteti i tij për të luajtur në disa pozita të mbrojtjes e ka bërë atë një pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Vështirësi për transferimet nga Manchester United Edhe pse Amorim dëshiron të ribashkohet me disa nga ish-lojtarët e tij, Milani përballet me pengesa të mëdha për realizimin e këtyre transferimeve. Manuel Ugarte, të cilin Amorim e kishte drejtuar edhe te Sporting CP përpara se të punonin së bashku në Manchester, ishte një nga objektivat kryesorë të Milanit.
Megjithatë, një dëmtim serioz i pësuar gjatë Kupës së Botës i dha fund shpresave për një transferim gjatë verës. Në të njëjtën kohë, Manchester United raportohet se nuk është i gatshëm të shqyrtojë oferta për Mason Mount dhe Amad Diallon.
Eksperti i transferimeve Matteo Moretto ka bërë të ditur se Mazraoui është një nga lojtarët e preferuar të Amorimit, por deri tani nuk kanë nisur negociata zyrtare mes dy klubeve. “Noussair Mazraoui është një nga të preferuarit e Amorimit. Për momentin nuk ka negociata dhe as kontakte të drejtpërdrejta mes klubeve.
Ajo që mund të them është se Mazraoui, i cili është 28 vjeç dhe ka kontratë deri në vitin 2028 me mundësi vazhdimi, është një lojtar që vlerësohet shumë nga Amorim”, deklaroi Moretto. “Do të shohim nëse Milani do ta konkretizojë interesimin më vonë gjatë afatit kalimtar.
Për momentin po flasim vetëm për miratimin e trajnerit dhe për faktin se Amorim i vlerëson shumë cilësitë e Mazraouit.” Amorim gjithmonë e ka vlerësuar lart marokenin Interesimi për Mazraouin nuk përbën surprizë, duke marrë parasysh deklaratat e mëparshme publike të Amorimit për mbrojtësin.
Gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”, trajneri portugez e kishte lavdëruar shpesh cilësinë teknike dhe inteligjencën taktike të marokenit. “Ai është një lojtar i nivelit të lartë. E kupton lojën, di të sulmojë, është shumë teknik, shumë i mirë në mbrojtje dhe i fortë në duelet një kundër një. Është një lojtar modern”, kishte deklaruar Amorim. “Mendoj se është e ardhmja e skuadrës sonë.
Na duhen më shumë lojtarë si Nous, të cilët mund ta kontrollojnë ritmin e lojës dhe ndihen shumë komodë me topin. Jam shumë i lumtur me të.” Amorim kërkon një fillim të ri në “San Siro” Amorim e sheh aventurën te Milani si një mundësi për një fillim të ri, pas një periudhe të vështirë 14-mujore në Premier League.
Gjatë prezantimit të tij si trajner i Milanit, portugezi pranoi se dëshiron të mësojë nga gabimet e bëra në Manchester dhe të përmirësojë metodat e tij të punës. “Është e vështirë t’i shpjegoj gabimet, sepse për ta bërë këtë do të duhej të shpjegoja të gjithë kontekstin e aventurës së fundit”, tha Amorim. “Është e vështirë të përmend çdo gabim.
E vetmja gjë që mund të them është se kam mësuar shumë dhe se kam bërë disa gabime.”
