Një incident është raportuar pas një ahengu familjar në Prishtinë, ku një zyrtar policor dyshohet se ka sulmuar fizikisht pronarin e një restoranti dhe djalin e tij, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali. Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 24 qershor, rreth mesnatës, në rrugën “Agim Ramadani”, në restorantin “Vapiano”.
Burimet bëjnë të ditur se në lokal ishte organizuar një aheng familjar, ndërsa pas përfundimit të tij, zyrtari policor dyshohet se është fjalosur me pronarin e restorantit dhe djalin e tij. Sipas informacioneve të siguruara, zyrtari policor dyshohet se fillimisht e ka goditur djalin e pronarit e më pas edhe pronarin e lokalit.
Trajtim mjekësor kanë pranuar pronari, djali i tij dhe zyrtari policor. Po ashtu, zyrtari policor i është nënshtruar alkool-testit, ku ka rezultuar me 0.52 mg/L. Lidhur me rastin janë intervistuar dy ankuesit, si dhe një kamerier në cilësinë e dëshmitarit.
Për përfshirjen e zyrtarit policor është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet ta intervistojë atë pas kthjellimit. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa me rastin tashmë është duke u marrë IPK-ja. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!