ZKA gjen mangësi në menaxhimin e një kontrate në Këshillin Prokurorial të Kosovës

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar mangësi në menaxhimin e një kontrate nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke konstatuar se garancioni i cilësisë së punimeve është dorëzuar me vonesë disa mujore. Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, KPK kishte buxhet final prej 18.7 milionë eurosh, ndërsa shpenzoi rreth 18.2 milionë euro apo 97.45 % të buxhetit të planifikuar.

Auditorët kanë dhënë opinion për pasqyrat financiare vjetore të KPK-së, si dhe kanë vlerësuar se transaksionet financiare janë kryer në përputhje me kriteret ligjore dhe rregullative. Megjithatë, në kapitullin e gjetjeve dhe rekomandimeve, ZKA ka evidentuar një rast që lidhet me investimet kapitale.

Sipas raportit, kontraktuesi i projektit për renovimin e oborrit dhe hapësirave të brendshme në objektin e KPK-së, në vlerë prej 108,502 euro, e ka dorëzuar garancionin e cilësisë së punimeve prej 10,850 eurosh vetëm pesë muaj pas pagesës së fundit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Auditorët rikujtojnë se kushtet kontraktuale kërkojnë që garancioni i cilësisë të dorëzohet para pagesës përfundimtare dhe të jetë i vlefshëm për një periudhë 12-mujore nga pranimi teknik i punimeve. Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në menaxhimin e kontratës.

“Mosdorëzimi me kohë i garancionit të cilësisë rrit rrezikun që të mos ketë mekanizëm të mjaftueshëm sigurues për eliminimin e defekteve eventuale pas pranimit të punimeve” – thuhet në raport.

Për këtë arsye, auditorët kanë rekomanduar që Kryesuesi i KPK-së të sigurojë monitorim më të rreptë të kontratave dhe të garantojë që kontraktuesit t’i dorëzojnë garancionet e cilësisë brenda afateve të përcaktuara. “Me përfundimin e punimeve dhe para pagesës së fundit, të sigurohet se kontraktuesi ka dorëzuar garancionin e cilësisë së punimeve” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

KPK është pajtuar me këtë rekomandim, sipas raportit të auditimit. Raporti po ashtu tregon se nga tri rekomandimet e dhëna në auditimin e vitit paraprak, dy janë zbatuar plotësisht, ndërsa një ka qenë në proces të zbatimit deri në përfundim të auditimit për vitin 2025. Raportin e plotë të ZKA-së për KPK-në mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Burimi: Kallxo