Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë trajtuar gjithsej 1,567 ankesa të konsumatorëve.
Sipas raportit të DMK-së, “numri më i madh i ankesave ka të bëjë me problemet që lidhen me keq llogaritjet e orës në njehsorët elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve raft-arkë nëpër markete, me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar.” Institucioni vlerëson se volumi i lartë i ankesave tregon për mungesë të respektimit të plotë të të drejtave të konsumatorëve nga disa operatorë ekonomikë.
“Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët, tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë,” thuhet në njoftim.
MINTI thekson se po e konsideron të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe marrjen e masave shtesë për përmirësimin e situatës. “Për këtë arsye, MINTI, e konsideron të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për ngritjen e nivelit të respektimit të të drejtave të konsumatorëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet më tej.
Sipas raportit, ankesat janë trajtuar në bashkëpunim me institucione të ndryshme kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ARKEP, ZRRE, BQK dhe ARRU. MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë shkeljet e mundshme.
“MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net.”, thuhet në njoftim.
