Në pulset publike, Sistemi i Drejtësisë listohet si i pabesueshëm për qytetarët, mirëpo të dhënat nga studimet e shoqërisë civile tregojnë se përdoruesit e gjykatës kanë përshtypje tjetër për sistemin.
Një raport i hartuar nga organizatat D+ që flet për përshtypjet e përdoruesve të gjykatës tregonte se shumica e të anketuarve në Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë vlerësojnë pozitivisht kohën e nevojshme për shqyrtimin e lëndëve, situata paraqitet më problematike në Prishtinë dhe Prizren, ku qytetarët shprehin pakënaqësi për zgjatjen e procedurave gjyqësore.
Diskrepanca në mes tw perceptimit të qytetarëve dhe përdoruese të gjykatave shpjegohet se vjen nga mungesa e informacioneve dhe dezinformatave për sistemin. Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, vlerëson se fenomeni i dezinformatave në sistemin e drejtësisë është i përhapur prej vitesh dhe lidhet me interesimin e madh të qytetarëve për çështjet gjyqësore.
“Konsideroj se fenomeni i dezinformatave në sistemin e drejtësisë së Kosovës është shumë i përhapur, jo vetëm në kohët e fundit por për gjatë shumë viteve. Konsideroj se ky fenomen është paraqitur për shkak të disa arsyeve” – thotë Zogaj. Sipas tij, interesimi i qytetarëve për drejtësinë është i lidhur edhe me përvojat që shumë prej tyre kanë pasur me sistemin gjyqësor pas luftës.
“Temat nga sistemi i drejtësisë kanë qenë fokus i qytetarëve për shkak se shumë prej qytetarëve të Kosovës, nga periudha e pasluftës e deri tani, janë përballur me procese të ndryshme gjyqësore, si për çështje prone, çështje lidhur me administratën shtetërore, çështje pune etj.
Duke qenë se sistemi i drejtësisë ka qenë i mbingarkuar, secili qytetar është interesuar për arsye të vonesave dhe në këtë rast në mënyrë të natyrshme, informatat mbi sistemin e drejtësisë i kanë marrë përmes mediave, mediave të shkruara, pa përjashtuar edhe rrjetet sociale” – shpjegon ai.
Zogaj, i cili udhëhoqi KGJK-në nga viti 2021, deri kah mesi i vitit 2026, vlerëson se një ndër arsyet kryesore të përhapjes së dezinformatave lidhet me mungesën e profesionalizmit gjatë raportimit të temave nga drejtësia.
“Arsyet pse është paraqitur fenomeni i dezinformatës, lidhet në radhë të parë me faktorin e mungesës së profesionalizmit për të raportuar temat nga drejtësia, mungesës së informatave të plota për çështjet që raportohen, në rastet e caktuara qëllimit për të prezantuar një çështje apo informatë në mënyrë të tillë që nxit kureshtjen për të shikuar lajmin, duke paraqitur qëllimshëm informata të pasakta apo jo të plota dhe për shkak të titujve jo korrespondentë me përmbajtjen e lajmit”- deklaron Zogaj.
Sipas tij, pasojat e dezinformatave nuk ndalen vetëm te krijimi i një perceptimi negativ për institucionet, por mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si qytetarët i qasen drejtësisë. “Dezinformatat ndikojnë në procesin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procese gjyqësore për shkak se në shumë raste shërbimet do të paragjykohen apo do të shikohen me mungesë besimi.
Në çdo rast kur proceset gjyqësore do të paragjykohen apo ka mungesë besimi, në mënyrë të natyrshme ndikohet në dinamikën e rasteve gjyqësore, për shkak të shprehjes së mungesës së besimit apo pakënaqësisë me shërbimet gjyqësore”- thekson ai. Ai shton se dezinformatat mund të krijojnë edhe bindjen se të drejtat nuk mund të realizohen në mënyrë të drejtë përmes institucioneve.
“Dezinformatat mund të ndikojnë në de-kurajimin e qytetarëve për të kërkuar mbrojtje apo shërbime gjyqësore. Duhet theksuar se dezinformatat i nxisin qytetarët që të kërkojnë forma të ndryshme për të ndikuar në proceset gjyqësore, sepse fillohet të besohet që realizimi i të drejtave përmes sistemit të drejtësisë mund të bëhet vetëm duke siguruar një mënyrë të ndikimit në sistemin e drejtësisë”- vlerëson Zogaj.
Një qasje të ngjashme lidhur me ndikimin e dezinformatave në perceptimin publik ka edhe avokati Arbër Jashari. Sipas tij, lajmet e rreme, raportimet e njëanshme dhe informacionet gjysmë të vërteta cenojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Dezinformatat, të cilat përfshijnë lajmet e rreme, raportimet e njëanshme dhe subjektive, si edhe lajmet gjysmë të vërteta, kanë një ndikim të konsiderueshëm në besimin e publikut ndaj sistemit të drejtësisë.
Përhapja e këtij lloji të informacionit krijon perceptime të gabuara, cenon besueshmërinë e institucioneve dhe ndikon në formimin e opinionit publik mbi funksionimin e drejtësisë” – thotë avokati Jashari. Megjithatë, ai nuk beson se dezinformatat janë faktori kryesor që i pengon qytetarët t’i drejtohen gjykatave.
“Megjithatë, pavarësisht këtij ndikimi, nuk i konsideroj dezinformatat si një pengesë vendimtare që qytetarët të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre në rrugë gjyqësore. Kjo ndoshta, për faktin se procedura gjyqësore mbetet shpesh e vetmja rrugë ligjore dhe institucionale për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të tyre” – shprehet ai.
Jashari vlerëson se gjykatat duhet të jenë më aktive në kundërshtimin e informacioneve të rreme. “Gjykatat duhet të ndërmarrin një qasje proaktive në luftimin e dezinformatave. Heshtja ose injorimi i tyre nuk përbën zgjidhje, pasi lë hapësirë që informacionet e pasakta ose keqdashëse të përhapen dhe të ndikojnë në perceptimin e publikut” – thekson Jashari.
Sipas tij, rritja e transparencës, publikimi i komunikatave informuese, reagimet e shpejta ndaj lajmeve të rreme dhe organizimi i fushatave ndërgjegjësuese mund të ndikojnë në forcimin e besimit të publikut. Ai thekson se përgjegjësi të rëndësishme në këtë proces kanë edhe mediat, të cilat duhet të raportojnë në mënyrë profesionale dhe të verifikojnë informacionin para publikimit.
Nga ana tjetër, avokati nga Mitrovica e Veriut, Ljubomir Pantoviq, vlerëson se në praktikën e tij nuk ka hasur shpesh qytetarë të cilët hezitojnë të nisin procedura gjyqësore për shkak të dezinformatave. “Nuk jam i sigurt se ato ekzistojnë në masë të madhe.
Shumica e qytetarëve informohen te avokatët, noterët, përmbaruesit ose në vetë gjykatën, ku marrin informacionet që u nevojiten për inicimin e procedurës gjyqësore” – thotë Pantoviq. Sipas tij, faktorët kryesorë që ndikojnë në humbjen e besimit të qytetarëve janë problemet strukturore të sistemit gjyqësor.
“Qytetarët i dekurajojnë dukuri të tjera në gjyqësorin e Kosovës, e ato janë para së gjithash joefikasiteti, ngadalësia, mosazhurniteti dhe dukuri të tjera të ngjashme negative”- deklaron ai. Pantoviq thotë se një nga keqkuptimet më të mëdha të qytetarëve është pritja se drejtësinë do ta marrin shpejt dhe pa kosto të mëdha.
“Qytetarët besojnë se para gjykatave do t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe do të arrijnë drejtësinë në një mënyrë të shpejtë, efikase, racionale dhe në fund të fundit të lirë. Kjo në këtë rajon, ku ne jetojmë, është vërtet e pamundur” – shprehet ai.
Ai sjell si shembull vonesat në trajtimin e lëndëve civile, duke thënë se procedurat mund të zgjasin me vite, ndërsa edhe në Gjykatën e Apelit lëndët mund të presin tri ose katër vjet për t’u shqyrtuar. “Për shkak të një situate të tillë është krejtësisht normale që qytetarët të humbin besimin te një gjykatë aq joefikase dhe e ngadaltë” – shton Pantoviq.
Në fund, ai ngrit edhe shqetësimin për ndikimin e pushtetit ekzekutiv në gjyqësor, veçanërisht në rastet e ndjeshme penale, si dhe kërkon raportim më objektiv nga mediat për procese të tilla. “Pa raportim objektiv të mediave dhe pa ndikimin e pushtetit ekzekutiv në gjyqësor, për të cilin fola pak më parë, qytetarët vërtet nuk do të kenë besim në sistemin gjyqësor në Kosovë.
Gjegjësisht, ky besim, nëse ekziston, do të zbehet gjithnjë e më shumë” – përfundon Pantoviq. Pavarësisht dallimeve në vlerësim se sa ndikojnë dezinformatat në vendimin e qytetarëve për t’iu drejtuar gjykatave, tre juristët pajtohen se besimi në drejtësi lidhet ngushtë me transparencën, efikasitetin dhe komunikimin korrekt me publikun.
Rritja e transparencës së institucioneve, reagimi i shpejtë ndaj informacioneve të pasakta, raportimi profesional mediatik dhe përmirësimi i efikasitetit të gjykatave mbeten disa nga mekanizmat që, sipas tyre, mund të ndikojnë në rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
