Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë një sqarim rreth deklaratave të tij dhënë për Radion Evropa e Lirë, ku ka thënë se votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e kësaj partie dhe jo përtej saj dhe se emra unifikues në parti janë ai ose kryetari Lumir Abdixhiku.
Në një “sqarim për interesimin e publikut”, të postuar në rrjetin social Facebook Haziri ka thënë se ish-presidentja Vjosa Osmani, mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente. “Asgjë s’ka ndryshuar. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së.
Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka shkruar Haziri. Ai ka thënë se Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt.
“Kërkesat politike, ndërkaq, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së. Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka shkruar Haziri.
Radio Evropa e Lirë të mërkurën ka shkruar se LDK-ja mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale. Kështu sipas raportimit ka thënë Haziri.
REl ka shkruar se sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie. “Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar.
Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, citohet të ketë thënë Haziri. LDK-ja kërkon Presidencën, Lutfi Haziri thotë se ka edhe konsensus: Ose unë, ose Lumir Abdixhiku
