Shefi i EULEX-it thotë se shtetet e BE-së janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve të tyre për ta mbështetur Kosovën Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve te tyre që shërbejnë në këtë mision për ta mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj, deklaron shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në një intervistë për KosovaPress.
Barbano në intervistën e fundit si shef i Misioni të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, thotë se, EULEX si reaguesi i dytë në Kosovë është gati të ndërhyjë në rast se është e nevojshme, gjë që sipas tij, ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm.
Barbano: Shtetet e BE-së janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve të tyre për ta mbështetur Kosovën “Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, ndërsa KFOR-i është reaguesi i tretë. Në mes tyre, EULEX vepron si reaguesi i dytë i sigurisë, me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës, nëse situata e kërkon.
Duke e bërë këtë, ne ushtrojmë rolin tonë si reagues i dytë në përputhje me vullnetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në EULEX për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj. Ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm që duhet kuptuar.
Do të thotë se ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse është e nevojshme”, thotë Barbano për KosovaPress. Ai tutje thotë se EULEX-i mbetet i përkushtuar për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë, teksa shtoi se kanë mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë policore në rast nevoje.
Barbano: Nëse ka nevojë, mund të marrim përforcime nga njësitë rezervë për ruajtjen e sigurisë “Shpresojmë që të mos ketë nevojë për këtë, por kemi gjithashtu mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë policore të siguruara nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë. Ne mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në përpjekjet për ruajtjen e sigurisë.
Në këtë drejtim kemi përmirësuar mekanizmat për trajnim të përbashkët dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit, si dhe kemi rritur ndërveprueshmërinë tonë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo ka dëshmuar efektivitet në disa raste”, nënvizon ai.
