Jude Bellingham shmangu të njëjtin ndëshkim që mori ylli i Paraguait, Miguel Almirón, kur mbuloi gojën gjatë një bisede në barazimin 0-0 të Anglisë kundër Ganës në Kupën e Botës. Bellinghami, i cili u shpall “Lojtari Superior i Ndeshjes” nga FIFA për paraqitjen e tij në Boston, luajti 73 minuta për Anglinë përpara se të zëvendësohej nga Morgan Rogers.
Ai u përfshi në një shkëmbim të tensionuar në fund të pjesës së parë me trajnerin e Ganës, Carlos Queiroz, i cili ishte i pakënaqur me një ndërhyrje që ylli i Real Madridit kishte bërë ndaj njërit prej lojtarëve të tij. Queirozi deklaroi se besonte se Bellinghami pati fat që shmangu kartonin e verdhë, madje edhe një karton të kuq, për atë incident.
Veçmas, ai u pa duke biseduar edhe me kapitenin e Ganës, Jordan Ayew, përpara se të dy lojtarët të zëvendësoheshin në pjesën e dytë. 22-vjeçari mbuloi gojën me dorë gjatë bisedës me Ayewin – diçka që, në rrethana të caktuara, ishte ndaluar nga FIFA përpara Kupës së Botës 2026.
Gjatë fitores 1-0 të Paraguait ndaj Turqisë, ish-anësori i Newcastle Unitedit, Almiróni, u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi mbuloi gojën gjatë një përplasjeje verbale me mbrojtësin turk Mert Müldür.
Almiróni u bë lojtari i parë që u ndëshkua sipas rregullit të ri të FIFA-s dhe mori një pezullim prej një ndeshjeje, që do të thotë se do të mungojë në sfidën e fundit të grupit kundër Australisë. Arsyeja pse Bellinghami nuk mori karton të kuq lidhet me mënyrën se si FIFA e ka përcaktuar qëllimisht këtë rregull.
Mbulimi i gojës gjatë bisedës nuk është ndaluar nga FIFA në vetvete; rregulli zbatohet vetëm në rastet e përballjeve ose konfrontimeve agresive. Ai u vendos pasi anësori i Benficas, Gianluca Prestianni, mori një pezullim prej gjashtë ndeshjesh nga UEFA për përdorimin e një fyerjeje homofobike gjatë ndeshjes “play-off” të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në mars.
Argjentinasi fillimisht ishte akuzuar se kishte bërë një koment racist ndaj Vinícius Júnior, por UEFA nuk arriti të siguronte prova të mjaftueshme – pjesërisht sepse Prestianni kishte mbuluar gojën me fanellën gjatë bisedës. Shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, e shpjegoi rregullin në një konferencë para Kupës së Botës.
“Lojtarët mund të vazhdojnë ta mbulojnë gojën me krah ose me fanellë, sepse mund të jenë duke biseduar me miqtë,” tha italiani. “Është normale të bisedosh para, gjatë ose pas ndeshjes. Nëse biseda është miqësore, ata mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë pa asnjë problem.
Kur biseda është konfrontuese, mbulimi i gojës do të thotë se potencialisht po bëni diçka shumë të gabuar, dhe sanksioni është kartoni i kuq”, tha ai tutje. I njëjti interpretim i rregullit u aplikua edhe për Lionel Messi, i cili mbuloi gojën me dorë gjatë fitores 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të grupit në Kupën e Botës.
Për shkak se Messi, tashmë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, thjesht po komunikonte me shokët e skuadrës gjatë një diskutimi pranë vijës anësore, nuk pati nevojë për asnjë ndëshkim.
