Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar sot, më , për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet A.G., nën dyshimin se ka kryer veprën penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, me pasojë vdekjen e një personi. Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të zgjasë deri më .
Mbështetur në dyshimet e ngritura nga organet e drejtësisë, më , rreth orës , në lagjen Arbana në Prizren, në një objekt banesor në ndërtim, A.G., në cilësinë e personit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, dyshohet se nga pakujdesia nuk ka instaluar dhe siguruar përdorimin e pajisjeve mbrojtëse sipas rregullave teknike të sigurisë.
Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri, i cili ishte shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, dyshohet se nuk e kishte vendosur në mënyrë të sigurt pompën e betonit. Gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri, pompa kishte rrëshqitur, ndërsa si pasojë ishte shkëputur një gyp që kishte goditur në kokë viktimën V.M., duke i shkaktuar vdekjen.
Gjykata thekson se në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, ndërsa vërtetimi i plotë i fakteve do të bëhet gjatë fazave të mëtejme të procedurës penale.
Sipas vendimit, paraburgimi është caktuar për të siguruar prezencën e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale, duke pasur parasysh se hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet të dëgjohen dëshmitarë, të merret në pyetje i pandehuri dhe të sigurohen prova të tjera materiale.
KALLXO.com kishte raportuar më se i riu 26 vjeçar kishte humbur jetën pasi dyshohej se u godit nga një pjesë e pajisjes së betonimit në një objekt ndërtimi. Po ashtu KALLXO.com kishte raportuar edhe për arrestimin e një personi lidhur me këtë rast. Sipas Policisë së Kosovës, pas incidentit fatal ishte arrestuar një i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit ishte ndaluar për 48 orë.
Rasti ishte iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet ishin duke vazhduar për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e 26-vjeçarit në vendin e punës. Gjykata ka vlerësuar se, për shkak të pasojës së rëndë që ka rezultuar me humbjen e jetës së një personi, masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe adekuate në këtë fazë të procedurës.
Po ashtu, Gjykata ka shprehur pritjen që Prokuroria e Shtetit ta trajtojë rastin me efikasitet dhe shpejtësi, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.
