Vijon prej së martës operacioni i gjerë i Forcave të Policisë së Tiranës dhe Krujës kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore dhe të thella të dy qarqeve. Gjatë kontrolleve intensive në terren, efektivët kanë zbuluar dhe asgjësuar deri më tani rreth 5 mijë bimë narkotike, të kultivuara në afro 100 parcela të ndryshme.
Bimët janë shkatërruar në vend, ndërsa grupet hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në kultivimin e tyre. Sipas burimeve policore, deri në këtë fazë të operacionit nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe efektivësh, të cilët po ushtrojnë kontrolle në zona të ndryshme malore, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.
